×
Saturday, January 18, 2025

Thaçi kërkon nga BE-ja vendim për liberalizimin e vizave

May 6, 2020


Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në Samitin virutal të Zagrebit mes Bashkimit Evropian (BE) dhe Ballkanit Perëndimor, me temë perspektivën evropiane për rajonin dhe sfidat e shkaktuara nga pandemia COVID-19.

Sipas një njoftimi të Zyrës së Presidentit të Kosovës, Thaçi në adresimin e tij online në këtë samit ka përsëritur nevojën urgjente që BE-ja të marrë vendim për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Thaçi ka theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE.

“Para 20 vitesh, në Samitin e Zagrebit iu ofrua perspektiva evropiane Kosovës dhe Ballkanit. Është e dhimbshme që sot të dëgjojmë përkushtimin e njëjtë, por pa vendim për liberalizimin e vizave, e madje pa statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, përkundër që i kemi përmbushur të gjitha kriteret”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i vendit u ka bërë thirrje BE-së dhe shteteve anëtare që të tregojnë lidership dhe vullnet për ta afruar Kosovën me BE-në.

“BE-ja dhe shtetet e saj anëtare kanë fuqi që ta ndryshojnë këtë trend negativ. I bëjmë thirrje BE-së dhe shteteve anëtare të tregojnë lidership dhe vullnet për ta afruar Kosovën me BE-në”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka zhvilluar një telefonatë me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, para mbajtjes së Samitit të Zagrebit, me të cilin u pajtuan se “BE-ja duhet të vazhdojë angazhimin për perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane”.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor duhej të mbahej në Zagreb, por ai po zhvillohet përmes video-konferencës për shkak të pandemisë COVID-19.

Krerët e 27 shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së, zyrtarë të lartë dhe liderë nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Bosnjë e Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi, kanë shkëmbyer mendime mbi “perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments