Thaçi: BE-ja me premtime boshe
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të martën se nuk do të ulet në tryezën e bisedimeve në Bruksel derisa nuk ndodhë liberalizimi i vizave për Kosovën dhe kritikoi Bashkimin Evropian për premtime “boshe”.
Ai i bëri këto komente pas takimit me këshilltarët e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron, Jan Hecker dhe Emmanuel Bonne, të cilët të martën u takuan edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Presidenti Thaçi tha se Kosova duhet të prodhojë gjithmonë argumente pozitive për partnerët dhe miqtë, por sipas tij është shumë me rëndësi që edhe ndërkombëtarët që vijnë në Kosovë të jenë të qartë.
“Unë sot nuk pashë qartësi të them të drejtën për asnjë çështje, me përjashtim të hulumtimit të opinionit dhe proceseve si me lëvizë përpara por nuk pashë pozicion të qartë për asnjë çështje që është ngritur së diskutuari”, tha ai.
Presidenti Thaçi tha se Kosova ka nevojë për vendimmarrje e jo vëzhgim të situatave nga Bashkimi Evropian.
“Për derisa, flas në emër tim si president i vendit, do të flas me gjithë spektrin politik që derisa nuk ndodh liberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian së paku si president i vendit nuk ulem në tavolinën në Bruksel, sepse nuk e meriton këtë kredi t’i jap Kosova Brukselit sa i përket kësaj çështjeje. Ne i meritojmë vizat pastaj shohim për hapat tjerë. Nga ajo që shoh nuk ka kapacitete në Bruksel, nuk ka unitet dhe nuk ka qëndrim si të lëvizet përpara. E para është liberalizimi i vizave dhe kjo është jetike, të tjerat janë çështje dytësore sa i përket Kosovës me BE-në dhe me Serbinë”, tha ai, duke ritheksuar qëndrimin e tij se rolin udhëheqës në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, duhet ta kenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Që nga nëntori i vitit 2018, kur Kosova vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe Beogradi pezulloi pjesëmarrjen në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Brukseli mirëpriti qëndrimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për fillimin e heqjes së kushtëzuar të tarifave, por kjo nuk u mbështet nga Shtetet e Bashkuara që ngulin këmbë që tarifat të hiqen tërësisht.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se “në fushatë kemi garuar me idenë që do të zëvendësojmë tarifën 100 për qind me reciprocitetin ndaj Serbisë. Këtë qëndrim e kemi shndërruar edhe në pjesë të programit qeverisës që ka buruar nga marrëveshja e koalicionit. Edhe Lidhja Demokratike, partneri ynë në qeveri gjithashtu ka garuar në fushatë pikërisht me këtë ide. Unë kam dhënë qëndrimin tim si kryeministër i Kosovës për zëvendësim gradual të tarifës 100 për qind me reciprocitet. Duket që nuk është mirëpritur prej disa prej eksponentëve nga LDK-së. Unë nuk dua që vendimet qeveritare të bëhen me shumicë të thjeshtë, jam i interesuar që për politikën e Jashtme të kemi harmonizim e posaçërisht qeveria dhe deri sa të kemi një konsensus të tillë nuk do të kisha preferuar të nxitohem që qëndrimin tim ta sjellë në qeveri në mbledhje të qeverisë për ta bërë vendim”, tha ai.
Fillimi i këtij viti shënoi një periudhë të re përpjekjesh më të përqendruara amerikane në procesin e normalizmit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi, siguroi marrëveshje ndërmjet palëve për linjën ajrore, hekurudhore dhe për autostrada.
Duke u ndjerë i lënë anash, Bashkimi Evropian po përpiqet të sigurohet se do të luajë rolin e tij në proces dhe në këtë kuadër pritet të shpallë vendimin për emërimit e një përfaqësuesi të posaçëm për bisedimet Kosovë – Serbi dhe Ballkanin Perëndimor sipas modelit amerikan.
Këtë post pritet ta marrë përsipër ministri i deritashëm i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, ndonëse emërimi i tij është parë me rezerva nga një pjesë e vendeve të BE-së dhe në Kosovë, meqë vendi i tij është një nga pesë vendet evropiane që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Eunews.al