×
Sunday, October 24, 2021

Tensione në veri të Kosovës/ Bomba molotov, gaz lotësjellës dhe arrestime

October 13, 2021

Kryeministri Kurti nuk heq dorë nga prezenca e policisë dhe vendosja e ligjit në pjesën e kontrolluar prej serbëve në veri të Kosovës. Ndërkohë që pas marrëveshjes për targat të arritur në Bruksel shumë nga kritikët e tij e fshikulluan se ai tërhoqi trupat speciale nga Mitrovica e veriut, qeveria ka ndërmarrë këtë të mërkurrë  një aksion të kordinuar të policisë dhe doganave, arsyetimi zyrtar i të cilit ishte luftimi i rrjeteve të kontrabëndës në të gjithë teritorrin e vendit.

Policia e Kosovës ndërmori këtë mengjes një aksion për të konfiskuar mallra të kontrabanduar në gjithë Kosovën.

Por, gjatë aksionit në Veri të vendit, policia ka hasur në pengesa nga banorët e asaj zone, e cila jetohet kryesisht me serbë. Ata kanë goditur mbi policinë me gurë, granata dore madje në tokë janë parë edhe gëzhoja armësh.

Nga videot amatore janë parë dhe dëgjuar edhe të shtëna të shumta me armë zjarri. ” qytetarët atje janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore” ka njoftuar policia.

Kjo lëvizje që u bë në prag të zgjedhjeve vendore me motivin për të luftuar kontrabandën, përpos serbëve lokalë ka nxitur reagime të forta edhe në Beograd. Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç i ka bërë apek ndërkombëtarëve të ndalojnë çmendurinë e Albin Kurtit: “I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare, NATO-s dhe KFOR -it, që të reagojnë urgjentisht dhe të ndalin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Situata është më se dramatike dhe ky është momenti i fundit në të cilin është i nevojshëm një reagim i qartë për të ndaluar politikën e çmendur të ndjekur nga Prishtina. Kjo lloj sjelljeje ka tejkaluar çdo masë dhe na çon në prag të kaosit”, tha Bërnabiç në një komunikim për mediat.

Por nga ana e tij Kurti e ka konsideruar këtë aksion si një punë të zakonshme të qeverisë për të luftuar mallrat kontrabandë që nuk ka pasur synim kryesor Veriun e vendit por edhe Prishtinën e Pejën.”Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë. Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”.

Nga përleshjet e shkaktuara në veri kanë mbetur të plagosur gjashtë policë kosovarë dhe nje numër jo i vogël protestuesish.

Por pavarësisht se vendimi i qeverisë së Kosovës kishte si qëllim zyrtar luftimin e rrjeteve të kontrabandës dhe sekuestrimin e mallrave të futura ilegalisht që u sekuestruan me shumicë, në Bruksel ky tension i ri në Veri nuk është parë me sy të mirë. me sa duket për udhëheqësit e BE që drejtojnë dialogun ruajtja e stabilitetit është për momentin më e rëndësishme sesa beteja me krimin. Për këtë përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell e ka krtitikuar prishtinën për veprime të njëanëshme: 

“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Aksionet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka shkruar ai në një postim në “Tëitter”. 

Bilanci i deri tanishëm i aksionit anti kontrabandë është arrestimi i tetë personave dhe sekuestrimi i mallrave dhe dëshmive të ndryshme të kontrabandës (foto poshtë) në vlerë prej qindra mijëra euro. Sipas policisë ato “shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo etj”.

Eunews.al

Comments are closed.