×
Friday, October 22, 2021

Të premten nuk do të ndodhë asgjë e re

September 8, 2021

Nga Mero Baze

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përsëritën sot paralajmërimet për një Parlament ku nuk mund të jenë pjesë persona që gjenden në “Listën e zezë” të Qeverisë amerikane, duke nënkuptuar “qëndrestarin” e fundit të kësaj liste, Sali Berisha, i cili refuzon presionin amerikan. Në qendër të debatit publik janë vendosur sjelljet e çuditshme te Lulzim Bashës, heshtja e tij ndaj këtij debati, “sëmundja” e babait apo vjehrrit për të mos marrë pjesë në mbledhje, dhe mbi të gjitha faktet e bëra publike se ai ka shkelur një pakt me diplomatët amerikanë në Tiranë, rreth kësaj çështje.

Në të vërtetë, shumica e debatit është e përqendruar tek fakti perse hesht Basha dhe jo pse po reziston Sali Berisha. Për këtë arsye të gjithë mendojnë se meqë e premtja do të vijë, ai do të ketë një ditë që nuk ka nga t’ia mbajë. E vërteta është se të premten nuk do të ndodhë asgjë e re. Lulzim Basha dhe Sali Berisha do të jenë të dy në Parlament, ambasadorja e SHBA në shenjë proteste do të mungojë në llozhën e Parlamentit, ndoshta të njëjtën gjë do të bëjë dhe ambasadori i BE në Tiranë, Luljeta Bozo do të hap Parlamentin, Edi Rama do të marrë mandatin e kryeministrit, dhe mezi do të presë ngritjen e Berishës në podium që ta akuzojë…

Natyrisht që do të ketë një reagim të fortë të SHBA pas kësaj, do të ketë një izolim të Partisë Demokratike, do të ketë deklarata të zbehta të disa njerëzve brenda PD që do të vrasin mendjen si të shpëtojnë nga Berisha pa u lagur, por në PD nuk do të ndodhë asgjë. Lulzim Basha do të vazhdojë të jetë kryetari i saj, Sali Berisha do të vazhdojë të jetë tutori i saj, SHBA do të vazhdojnë të jenë kritikët e mëdhenj të saj, Edi Rama do të vazhdojë të jetë përfituesi i madh i saj dhe jeta do të vazhdojë. Të gjithë ata që mendojnë se Lulzim Basha do ta pësojë në fund prej kësaj, gabojnë. Në fund Lulzim Basha do humbasë zgjedhjet e radhës dhe do t’u thotë të gjithëve natyrisht me zë të ulët, që e humbëm dhe këtë prej Doktorit. Por meqë atë nuk e heqin, tani demokratët duhet të mësohen të durojnë dhimbjet e humbjeve prej tij.

Kështu në finale të gjithë ata që mendojnë se Lulzim Basha do të gjejë ndonjë arsye se si të zbojë Berishën që të fitojë, gabojnë. Ai e ka Berishën një arsye përse mund të rrijë kryetar, edhe pse nuk fiton dot.

Eunews.al

Comments are closed.