Stoltenberg: Të rriten shpenzimet e mbrojtjes, vetëm shtatë anëtarë arritën objektivin



Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u kërkoi vendeve anëtare të përshpejtojnë rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes pasi shifrat e reja treguan se më pak se një e katërta e tyre i kishin përmbushur objektivat e aleancës.
Stoltenberg tha se pushtimi rus i Ukrainës vitin e kaluar tregoi se bota ishte bërë më e rrezikshme dhe aleatët e NATO-s duhej të përgjigjeshin duke vendosur dhe përmbushur synime më ambicioze të shpenzimeve ushtarake.
“Shtatë nga 30 vendet e aleancës përmbushën objektivin aktual për të shpenzuar 2% të PBB-së për mbrojtjen në 2022, më pak se në 2021, përpara pushtimit të Rusisë në Ukrainë”, sipas vlerësimeve në raportin vjetor të NATO-s.
Stoltenberg tha se NATO kishte pritur që dy anëtarë të tjerë të arrinin objektivin, por ekonomitë e tyre ishin rritur më shumë se sa pritej, kështu që shpenzimet e tyre u ulën si pjesë e PBB-së.
Anëtarët e NATO-s kanë rritur vazhdimisht shpenzimet e tyre të mbrojtjes, që kur forcat ruse aneksuan Krimenë dhe hynë në Donbas në Ukrainën lindore në vitin 2014.
Por Stoltenberg tha se pushtimi i plotë i vitit të kaluar tregoi nevojën për të shpenzuar më shumë në mbrojtje.
“Nuk ka dyshim se ne duhet të shpenzojmë më shumë në mbrojtje dhe duhet ta bëjmë më shpejt”, u tha ai gazetarëve në selinë e NATO-s, në Bruksel.
“Ritmi për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, nuk është mjaft i lartë”, tha ai.
“Mesazhi im për aleatët është se ne mirëpresim atë që ata kanë bërë, por ata duhet të shpejtojnë, ata duhet të përmbushin objektivin në një botë më të rrezikshme”, tha ai.
Në një samit në Uells në vitin 2014, udhëheqësit e NATO-s ranë dakord për të shpenzuar të paktën 2% të PBB-së së tyre për mbrojtjen brenda një dekade.
Raporti tregoi se Greqia, SHBA-ja, Lituania, Polonia, Britania e Madhe, Estonia dhe Letonia e përmbushën këtë objektiv.
Shpenzimet e përgjithshme të mbrojtjes nga aleatët e NATO-s u rritën me 2,2% në krahasim me vitin e kaluar.
Liderët e NATO-s pritet të bien dakord për një objektiv të ri në një samit në Vilnius, Lituani, në korrik.
Stoltenberg tha se 2% e PBB-së, tani duhet të shihet si një minimum, ndërsa anëtarët synojnë të marrin hapa më shpejt se sa kanë bërë për të arritur në nivele më të larta.
“Unë do të mbroj një zotim më ambicioz se ai që bëmë në 2014”, tha ai.
“Nëse ka pasur nevojë për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në vitin 2014, kjo është edhe më e dukshme tani”, shtoi Stoltenberg.
Shifrat në raport treguan se Kroacia dhe Franca ishin më afër arritjes së objektivit prej 2%, ku secila shpenzon rreth 1,9% të PBB-së për mbrojtjen.
Pas tyre ishin renditur Belgjika, Spanja dhe Luksemburgu, shpenzimet e mbrojtjes së të cilëve ishin nën 1,2% të PBB-së.
