Stano: Qëndrimi i BE-së nuk ka ndryshuar për urën e Ibrit, Kosova t’i dëgjojë mesazhet e aleatëve
Bashkimi Evropian ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës t’i dëgjojnë partnerët dhe aleatët në lidhje me hapjen e urës së Ibrit.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano në konferencën e sotme për media theksoi se qëndrimi i BE-së në lidhje me urën e Ibrit nuk ka ndryshuar.
“Qëndrimi i Bashkimit Evropian në lidhje me urën është përshkruar shumë qartë në ditët dhe javët e fundit, dhe është komunikuar edhe me partnerët në Prishtinë dhe është diskutuar gjerësisht me të gjithë partnerët e tjerë brenda BE-së, me SHBA-në me NATO-n dhe KFOR-in, dhe qëndrimi i BE-së nuk ka ndryshuar. Ky është qëndrimi i të gjithë partnerëve dhe aleatëve të Kosovës, dhe autoritetet e Kosovës do t’i bënin një shërbim shumë të mirë vetes dhe popullit të tyre nëse do ia vënin veshin dhe dëgjonin mesazhet e partnerëve dhe aleatëve”, theksoi Stano.
Zëdhënësi i BE-së ka shtuar se nuk ka datë se kur mund të ketë takim të mundshëm për ta diskutuar këtë çështje në kryeqendrën e BE-së, Bruksel.







