×
Saturday, February 4, 2023

Stano: Duhet t’i jepet fund bllokadës së institucioneve në Mal të Zi

November 28, 2022


“Bashkimi Evropian po e ndjek situatën e brendshme politike në Mal të Zi me shumë kujdes dhe shqetësim”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, raporton Radio Televizioni i Malit të Zi.

Ai tha se duhet t’i jepet fund bllokadës së institucioneve dhe të normalizohet situata në vend.

“Kujtojmë dhe këmbëngulim që të gjithë aktorët politikë të përmbahen nga çdo veprim që mund të thellojë më tej krizën institucionale në vend dhe të dëmtojë funksionimin e institucioneve demokratike. Ata duhet t’i japin përparësi ndërtimit të konsensusit”, tha Stano në konferencë për media.

Ai theksoi se sa i përket paketës së energjisë synohet të lehtësohen çmimet e larta të energjisë për amvisëritë, përfshirë edhe bizneset e vogla.

Më 18 nëntor, kryetarja e Kuvendit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviç, pas takimit me kryetarët e partive parlamentare, bëri të ditur se nuk kanë arritur marrëveshje për asnjë çështje.

Në këtë takim mori pjesë edhe Presidenti i Malit të Zi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Milo Gjukanoviç, ndërsa liderët e Frontit Demokratik dhe Lëvizjes Qytetare URA refuzuan ftesën, por kishin dërguar disa përfaqësues.

Kërkesa e DPS-së ishte e qartë – tërheqja e amandameteve për ndryshimet në Ligjin për Presidentin, zgjedhja e gjyqtarëve për Gjykatën Kushtetuese dhe mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Me votat e shumicës së vjetër parlamentare, të martën e 2 nëntorit në Kuvendin e Malit të Zi, me 41 vota pro dhe pa praninë e opozitës, u votuan ndryshimet në Ligjin për Presidentin e Shtetit, të cilat paraqesin një sërë dispozitash antikushtetuese.



Comments are closed.