“Stabiliteti në Evropë i rëndësishëm për SHBA-të”/ Biden kujton në Poloni nenin “e shenjtë” të NATO-s
Presidenti i SHBA Joe Biden, gjatë bisedimeve me presidentin polak Andrzej Duda, është shprehur se paqja në Evropë lidhet drejtpërdrejt me stabilitetin në Shtetet e Bashkuara.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë shpjegoi se sa i rëndësishëm është stabiliteti evropian për SHBA-në dhe ripohoi mbështetjen e tij për NATO-n dhe në veçanti nenin 5, përgjegjësitë e mbrojtjes kolektive.
“Ne e konsiderojmë nenin 5 një detyrim të shenjtë”, deklaroi presidenti Joe Biden në Varshavë, duke iu referuar nenit të traktatit të NATO-s sipas të cilit një sulm i armatosur kundër një ose më shumë anëtarëve të Aleancës do të konsiderohet si sulm i drejtpërdrejtë kundër të gjitha palëve.
“Një nga gjërat për të cilat falenderova presidentin ishte fakti se kriteri i vetëm më i rëndësishëm në këtë botë në ndryshim… është që NATO të qëndrojë absolutisht, plotësisht, tërësisht e bashkuar, që të mos ketë ndarje në pikat e mendimit, se çfarëdo që të bëjmë, ne e bëjmë në unison dhe të gjithë vijnë së bashku”, tha presidenti amerikan.
“Aftësia e Amerikës për të përmbushur rolin e saj në pjesë të tjera të botës mbështetet në një Evropë të bashkuar, një Evropë të sigurt. Kemi mësuar nga përvoja në dy luftëra botërore, se sa herë kemi qëndruar jashtë dhe nuk jemi përfshirë në stabilitetin në Evropë, kjo gjithmonë na ka përndjekur ne, Shtetet e Bashkuara”, tha Biden.
Biden theksoi gjithashtu se vendet e NATO-S duhet të ndihmojnë refugjatët, duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm të Polonisë në këtë proces.