Spanja dhe Italia bashkojnë zërat për çështjen e emigracionit në BE



Politikat për emigracionin ishin në krye të axhendës së takimit mes kryeministrave të Spanjës dhe Italisë, me dy vendet që po hasin flukse të reja migratore nga Afrika e Veriut.
Pedro Sanchez dhe Giuseppe Conte kërkuan një përfshirje më të madhe të vendeve evropiane që kanë nivele më të ulëta fluksesh.
“Mua më duket një debat i nevojshëm ai mbi propozimin e guximshëm të disa vende evropiane, që e bën Bashkimin Evropian më të mirë. Një debat konstruktiv dhe që duhet ta zhvillojmë sa më parë për të gjetur një politikë për emigracionin në nivel evropian”, deklaroi Sanchez.
Edhe kryeministri Conte u shpreh dakord për gjetjen e një zgjidhjeje evropiane.
“Flukset migratore ndryshojnë, bashkë me kontekstin ekonomik dhe kursin e historisë, sepse nesër një fluks brutal emigrantësh mund të vijë nga Lindja dhe vende të tjera mund të vuajnë nga ky problem. Realiteti është se duhet të fokusohemi tek një zgjidhje e përbashkët”, u shpreh Conte.
Për vite të tëra Italia ka qenë rruga kryesore për hyrjen në Evropë të qindra mijëra azilkërkuesve dhe emigrantëve dhe bregu perëndimor i Libisë pika kryesore e nisjes për emigrantët afrikanë që synojnë të arrijnë kontinentin e vjetër.
Kryeministri Sanchez tha se Italia dhe Spanja kryejnë kontrolle efikase në kufijtë e tyre, por problemi qëndron në atë që bëhet me emigrantët kur ata mbërrijnë.
Eunews.al
