SPAK mbyll hetimet për dy ish-anëtarët e Gjykatës Kushtetuese



Prokuroria e Posaçme kundër Korrupionit dhe Krimit të organizuar, SPAK, bëri të ditur sot se ka përfunduar hetimet ndaj ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja dhe ish-anëtarit të kësaj gjykate Fatos Lulo
Të dy ish gjyqtarët e lartë akuzohen për “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Kodi Penal parashikon për një dënim nga gjobë deri në 3 vjet burgim. Tanimë ata do të duhet të përballen me këtë akuzë në Gjykatë
Hetimet ndaj tyre nisën një vit më parë, ndërsa në Prill të këtij viti, SPAK-u njoftoi se ishte vendosur dhe sekuestrimin e pasurive të tyre. Ish kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Dedja, i është sekuestruar një apartament “me sipërfaqe 60 m2, e në zonën e Golemit, ndërsa ish gjyqtarit Lulo, një dyqan “me sipërfaqe 172 m2, ndodhur në rrugën e Durrësit, Tiranë.
Të dy ish gjyqtarët u larguan nga funksionet e tyre si pasojë e procesit të rivlerësimit, dhe shkak kryesor kishte qenë pikërisht pamundësia për të justifikuar pasuritë në zotërim. Kjo është hera e parë që Drejtësia nis të veprojë ndaj ish magjistratëve që u lanë jashtë nga Vettingu.
Nën hetim nga SPAK-u është dhe ish gjyqtari i Gjykatës së Lartë Shkëlzen Selimi, të cilit gjithashtu i janë sekuestruar disa pasuri të patundshme. Bëhet fjalë, sipas Prokurorisë së Posaçme, për “50 përqind të pasurisë e llojit truall 432 m2 dhe objekt 132.25 m2 Karburant/Pikë Tregëtimi, me vendodhje Shëtitore Lungomare, Vlorë; truall, me sipërfaqe 2400 m2 (pasuri e përbërë nga bashkim pasurish), e ndodhur Jonufër, Vlorë, në pronësi të shtetasit Kujtim Selimi dhe 55 përqind e truallit, me sipërfaqe 764 m2 dhe godinë me sipërfaqe 57 m2, Karburant, e ndodhur në Rrugën Transballkanike, Vlorë, në pronësi të shtetasit Kujtim Selimi”.
Eunews.al

