Soreca: Zgjedhje të lira e transparente, të dielën në terren me 50 ekipe të delegacionit të BE-së
Kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në vendin tonë, Luigi Soreca, përmes një mesazhi në fund të fushatës elektorale, iu drejtua qytetarëve shqiptarë duke theksuar se “më 25 Prill ju keni fuqinë të vendosni se kush do t’ju përfaqësojë në Parlamentin e ardhshëm, kush do t’i bëjë ligjet që do të ndikojnë në jetën tuaj dhe kush do të vendosë për reformat e nevojshme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”.
“Fuqia juaj demokratike qëndron te shprehja e vullnetit tuaj lirisht dhe me integritet në qendrën e votimit. Kjo është mënyra se si kujdeseni për komunitetin, familjen dhe të ardhmen tuaj”, shprehet Soreca.
“Në këto zgjedhje fuqia juaj qëndron gjithashtu te zgjedhja e kandidatit të preferuar që do t’ju përfaqësojë. Ju nuk mund të anashkaloni këtë mundësi që zëri juaj të dëgjohet. Kjo votë është e juaja, askush nuk mund t’ju a marrë dhe askush nuk duhet t’ju a marrë. Përparimi i vendit tuaj drejt përparimit në BE do të varet nga zhvillimi si duhet i këtyre zgjedhjeve, duke përfshirë respektimin e rezultatit. Bashkimi Europian është këtu, duke qëndruar pranë Shqipërisë dhe duke e ndihmuar të realizojë ëndrrën dhe aspiratën e kaq shumë njerëzve në Shqipëri, t’i bashkohen BE-së”, vijon mesazhi.
“Kjo është arsyeja pse ditën e zgjedhjeve ne do të jemi në terren me 50 ekipe të delegacionit të BE-së dhe të shteteve anëtare, për të qenë me ju për një zhvillim të lirë, të drejtë dhe transparent të zgjedhjeve. Që punojë për të gjithë, demokacia ka nevojë për pjesëmarrjen e të gjithëve. Votoni të dielën dhe bëni durim ndërsa presim rezultatet. Ti vendos”, thuhet në mesazhin e ambasadorit Soreca.
Eunews.al