×
Monday, November 29, 2021

Soreca: Shqipëria përpjekje për të luftuar pastrimin e parave dhe korrupsionin publik

November 24, 2021

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca deklaroi sot se “në Shqipëri duhet të bëhen përpjekje për të luftuar korrupsionin, sidomos në fushën e pastrimit të parave dhe korrupsionin publik”.

Në fjalën e tij në takimin konsultativ me donatorët, ku ishin të pranishëm ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, dhe ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, Soreca tha se “ky takim ka potencialin për të përmirësuar përgjegjësinë dhe praninë e asistencës ndërkombëtare në Shqipëri një sektor kaq të rëndësishëm siç është ai i punëve të brendshme”.

Sipas tij, BE do të vazhdojë mbështetjen ndaj Shqipërisë, si dhe përpjekjet që po bëhen për integrimin evropian.

“Në vitin e fundit Shqipëria dhe BE janë angazhuar në një dialog politik shumë të fortë dhe janë krijuar bashkëpunime në shumë prej këtyre fushave. Së pari kemi krijuar partneritet në çështjet e zbatimit të ligjit, po forcojmë bashkëpunimin ndërmjet gjyqësorit, zbatimit të ligjit dhe shteteve anëtare të BE-së dhe agjencive të BE-së përmes projekteve të përbashkëta të Europolit dhe zyrave që mbështesin edhe trajnimet, si dhe me projekte të asistencës teknike të mbështetura nga IPA dhe nga binjakëzimet”, nënvizoi Soreca.

Ambasadori Soreca u shpreh se “do të çojmë përpara bashkëpunimin me vendet e BE-së dhe Europolin. Do të shkëmbejmë informacione cilësore, do të forcohen ekipet e hetimeve të përbashkëta të policisë dhe kemi operacione të përbashkëta të suksesshme janë operacione që ka marrë pjesë edhe Shqipëria vitet e fundit”.

Lidhur me qeverisjen vendore, Soreca tha se “axhenda e decentralizimit është zbatuar, por duhet të vazhdohet edhe më tej dhe kjo është e nevojshme për të garantuar autonominë fiskale dhe forcimin e bashkive dhe njësitë e qeverisjes vendore, të cilat mund të japin shërbime ndaj publikut që të jenë sa më cilësore”.

Sa i përket sigurisë rrugore Soreca theksoi se “jam i lumtur që kemi folur edhe për sigurinë rrugore. Së fundmi Shqipëria ka zbatuar shumë nisma dhe ende kjo tematikë është problematikë. Kemi pasur numër të lartë aksidentesh rrugore vitet e fundit”.

Ndërsa foli edhe për krimin mjedisor, Soreca tha se “krimi mjedisor nuk është pa viktima, sepse krijohen dëme ndaj mjedisit, impaktohet biodiversiteti. Krimi mjedisor sjell shumë para dhe është po aq fitimprurës sa trafikimi i drogës, por është më i vështirë për t’u kapur”.

Për emigracionin, Soreca tha se “Shqipëria po përballet me emigracion në rritje dhe planifikon të përmirësojë menaxhimin e përpjekjeve për të përballuar lëvizjet e emigracionit, të përmirësojë kapacitetet pritëse dhe është shumë i rëndësishëm zbatimi i   plotë i legjislacionit mbi azilin i cili është në përputhje me standardet e BE-së”.

Eunews.al

Comments are closed.