×
Saturday, July 31, 2021

Soreca nderohet me “Çelësin e qytetit” në Gjirokastër

July 17, 2021

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca u nderua mbrëmjen e djeshme në qytetin e Gjirokastrës me “Çelësin e qytetit”.

Aktivitetet e bashkisë së Gjirokastrës, në kuadër të 16-vjetorit të përfshirjes së qytetit të gurtë në UNESCO, kulmuan mbrëmjen e djeshme në kalanë e Argjirosë.

Të pranishëm në aktivitet ishin Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, përfaqësues të trupit diplomatik të disa vendeve të BE-së, drejtues të institucioneve publike, pushtetit vendor, specialistë të fushës së trashëgimisë kulturore, etj.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi i dorëzoi “Çelësin e qytetit”, ambasadorit të BE-së Soreca.

“Më 15 korrik 2005 Gjirokastra bëri një kthesë të madhe për të hapur një faqe të re, në historinë e saj si një qytet, që prej asaj date e në vijim nuk i përket vetëm gjirokastritëve, por botës mbarë”, – tha Golemi.

Kryebashkiaku Golemi u shpreh se falë UNESCO-s Gjirokastra është një markë e rëndësishme ndërkombëtare e turizmit, ka kujdesin jo vetëm të gjirokastritëve, por mbarë botës”.

“Për vendin e veçantë që ambasadori Soreca ka në qytetin tonë kemi zgjedhur këtë ditë, e cila mbart këtë simbol të fortë për të dhënë “Çelësin e qytetit”.

Ambasadori Soreca tha se “qyteti i Gjirokastrës përbën një vlerë të veçantë të trashëgimisë kulturore botërore, ndërsa Shqipëria në tërësi spikat për monumentet e kulturës. Së shpejti do të nisim një projekt për ndërhyrjet restauruese në vlerat e trashëgimisë kulturore në Shqipëri dhe qyteti i parë në të cilin do të prezantohet është Gjirokastra”.

Ambasadori u shpreh se “kam ndaluar në Gjirokastër gjatë turit tonë nga veriu i Shqipërisë në jugun e saj. Jam shumë i lumtur të jem përsëri këtu në këtë ditë simbolike për të festuar 16-vjetorin e futjes së Gjirokastrës në UNESCO. UNESCO dhe trashëgimia botërore e saj është mjaft prestigjioze. Qytetarët e Gjirokastrës duhet të jenë tepër të nderuar për këtë. Në vitet e fundit është bërë mjaft punë për të nxjerrë në pah bukuritë e këtij qyteti”.

Gjatë këtij aktiviteti iu dorëzua titulli “Qytetar Nderi i Gjirokastrës” edhe përfaqësuesve të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli për punën dhe kontributin e dhënë për rijetëzimin dhe restaurimin e vlerave të Gjirokastrës.

Eunews.al

Comments are closed.