×
Friday, October 7, 2022

Si po çmontohet LSI, përmes një procesi të brendshëm që mbaron më 25 prill

February 4, 2021

A do shkojë LSI për skrap? Apo do të mbijetojë edhe këtë radhë në skenën e madhe politike shqiptare, për tu kacavjerrë edhe 4 vite të tjera, sa mbi kurrizin e PD e sa të PS? A do të zhbëhet projekti politik i Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit? Apo do të ketë një proces natyral çmontimi të brendshëm, për shkak të pamundësisë për të mbijetuar?

Këto janë dilemat që janë ngritur mbi LSI, krahas pyetjes së përjetëshme në të tilla raste: Kush do ti fitojë zgjedhjet e 2021, për ta qeverisur Shqipërinë në 4 vitet e ardhëshme? Kjo çështje është shtruar për zgjidhje, edhe nga Kryeministri Edi Rama, kur këtë javë tha se besonte që “LSI është një sistem që duhet çmontuar komplet”.

Projekti “sekret” Rama- Basha

E përfolur shpesh nëpër korridoret e politikës dhe të medias, “projekti sekret” mes shefit të mazhorancës dhe kryetarit të opozitës, është bërë më në fund publik. “Çuarja për skrap e LSI (ka qenë) praktikisht një projekt i përbashkët me Bashën, por i tradhëtuar nga ai. Basha e ka tradhëtuar projektin, sepse ishte ai që e ndau me demokratët domosdoshmërinë për ta çuar LSI për skrap. Ishte ai që u betua se sdo ketë më matrapazllëqe me LSI dhe SHPK”.

Shumëkush ia atribuon këtë projekt, takimit të mesnatës mes 17- 18 majit 2017 mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, që e nxorrën kryetarin e PD nga çadra e “Republikës së Re” për ta futur në fushatën e zgjedhjeve. Por siç rrodhën ngjarjet më pas, Lulzim Basha e la në mes këtë projekt, duke u bërë siç tha sëfundi Rama “aksioner në SHPK-në e katër ortakëve (Berisha, Basha, Meta e Kryemadhi) ku ai është ortak minorance sepse kryesor është Sali me Ilirin”.

Pse duhet zhbërë projekti

Edi Rama ka dëshmuar publikisht vetëm për majën e ajsbergut, në lidhje me arsyet se përse duhet zhbërë projekti politik me emrin Lëvizja Socialiste për Integrim. “Nuk është (thjeshtë) çështje personash”,- tha Kryeministri, sepse “besoj se nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemet, por janë sistemet që korruptojnë njerëzit. Besoj se LSI është një sistem që duhet çmontuar komplet”.

Kjo lë të kuptosh se LSI është një sistem korruptiv politik dhe elektoral, që në vend të sillte një model vlerash të shtuara demokratike mes dy partive të mëdha PS dhe PD, ka rrezatuar të kundërtën në ambjentin shqiptar. Jo vetëm thjeshtë si një projekt politik familjar, por mbi të gjitha, si një parti pragmatiste interesash korruptive në dëm të pushtetit, shtetit dhe institucioneve të tij.

Ka filluar shkërmoqja

Ikja drejt PS e ish ministrave dhe figurave të tjera më të rëndësishme politike, që LSI kishte në këto vitet e fundit, dëshmon se ata janë edhe të parët që e kanë kuptuar atë që pritet të ndodhë më 25 prill. Nasip Naço, Lefter Koka, Sokol Dervishi, Gledion Rehovica, Elez Gjoza, Spartak Braho etj, nuk do të jenë në këto zgjedhje, pjesë e ekipit të LSI.

Kjo është hemoragjia e fundit që po pëson kjo parti, së cilës i kanë ikur sistematikisht figurat e saj më të rëndësishme politike; Pëllumb Xhufi, Sabit Brokaj, Fatos Klosi, Dritan Prifti, Ndre Legisi, Sokol Axhemi, Sokol Nako, Mustafa Muçi, etj. Sot LSI drejtohet në qarqe nga figura periferike, pa përvojën minimale në fushatat e shkuara elektorale dhe pa asnjë vlerë publike në profilet e tyre individuale.

Kjo tregon se LSI nuk ka nevojë të çohet për skrap. Sepse ajo ka nisur të çmontohet vetë, përmes një procesi të brendshëm, që duket se do të përfundojë më 25 prill.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments