×
Sunday, September 19, 2021

Si Angela Merkel e ktheu pas “orën” e historisë gjermane

August 31, 2021

Nga Niall Ferguson, Bloomberg

Angela Merkel ka pasur prej kohësh admiruesit e saj në mediat anglofone. Në nëntorin e vitit 2015, “The Economist” e quajti atë “Evropiania e domosdoshme”. Një muaj më vonë “The Financial Times” e shpalli “Njeriun e vitit”. Revista “Time” e shpalli atë ”Kancelare të botës së lirë”.

Kur Donald Trump u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara, “The New York Times” e etiketoi Merkel si “Mbrojtësen i fundit liberale të Perëndimit”. Unë nuk e kamë parë asnjëherë në atë lloj këndvështrimi.

Takimi im i vetëm me Angela Merkel ndodhi në Spanjë gjatë një faze të hershme të krizës së eurozonës. Ishte shkurti i vitit 2011 dhe unë isha në Madrid, ku po përpiqesha të kuptoja se sa afër shkatërrimit ishte sistemi bankar evropian.

Po zhvilloja takime të njëpasnjëshme me zyrtarë në bankën qendrore spanjolle dhe Ministrinë e Financave, kur duke ecur me shpejtësi në korridoret e pushtetit në Madrid, kancelarja gjermane dhe shoqëruesit e saj mbërritën për një takim me kryeministrin socialist, Jose Luis Rodriguez Zapatero.

Asnjëherë më parë nuk kisha parë një politikan qëtë sillej me aq shumë nderime, siç bëri Zapatero kur në dhomë hyri Merkel. Në fillim kjo situatë më hutoi, pasi kancelarja gjermane nuk duket aspak komanduese e vëmendjes. E megjithatë unë dallova brenda pak minutash aurën e saj mahnitëse.

Angela Merkel nuk i duron dot budallenjtë. Në fakt, ajo më bëri përshtypje se kishte një tolerancë të ulët edhe ndaj njerëzve shumë të zgjuar. Sigurisht, kjo nuk është mënyra se si e shohin atë votuesit gjermanë. Ajo shihet si dikush që nuk ka interes real mbi pushtetin, por që qeveris vetëm për t’i siguruar popullit të saj atë që ai dëshiron mbi të gjitha:stabilitetin.

Votuesit nuk i kanë dhënë kurrë Merkelit mandatet e forta që i dhanë dikur votuesit britanikë Margaret Thatcher. Për pjesën më të madhe të qëndrimit të saj në krye të vendit – 3 nga 4 mandate – ajo ka qenë e detyruar të qeverisë me koalicione të mëdha bashkë me Socialdemokratët.

E megjithatë ajo ka qenë kancelare për 16 vjet me radhë,5 vjet më shumë se sa Thatcher ishte kryeministre e Britanisë, edhe pse më pak nga 19 vitet e Bismarkut në detyrë. Gjatë mbretërimit të Merkelit, kanë qeverisur 4 presidentë amerikanë, 4 presidentë francezë, 5 kryeministra britanikë, 8 italianë dhe 8 kryeministra japonezë.

Kur erdhi kriza ekonomike, çështja ishte nëse Banka Qendrore Evropiane dhe agjencitë e tjera evropiane duhet të shpëtonin apo jo vendet “periferike”, në kurriz të vendeve “bërthamë” që ishin kursimtare dhe taksapaguese të rregullta.

Ajo që duhej të bënin evropiano-jugorët ishte ajo çka Gjermania kishte bërë pas vitit 2003:të ulnin çmimet dhe nivelet e pagave të tyre, dhe në këtë mënyrë të rifitonin konkurrencën e brendshme. Ky ishte një refren i vazhdueshëm në median gjermane.

Ashtu si shumë të tjerë, edhe unë thashë në atë kohë se argumente të tilla kishin pak kuptim. Me këtë qasje ata e dënuan Evropën Jugore (dhe sidomos Greqinë) me një Depresion të Zgjatur ekonomik.

Kriza e eurozonës nuk ndodhi sepse evropianët e jugut nuk arritën të miratonin reforma të stilit gjerman në tregjet e tyre të punës. Kriza ishte në fakt një krizë bankare transatlantike, nga e cila nuk ishin përjashtuar as bankat gjermane, të mëdha apo të vogla qofshin.

Merkel e kanalizoi pakënaqësinë e gjermanëve ndaj “shthurjes” së evropianëve të jugut. Jo dhe aq sa të detyronte ndonjë vend të largohej nga bashkimi monetar, por mjaftueshëm për t`u siguruar dhimbje maksimale Greqisë dhe Portugalisë në këmbim të paketave financiare të shpëtimit.

Stili i Merkel ishte marrëveshja e minutës së fundit, zakonisht në orët e para të agimit të mëngjesit të së hënës, pak para se të hapeshin tregjet financiare. Kjo do të thoshte se shpëtimet e këtyre 2 vendeve ndodhën, por vetëm pas pasigurisë maksimale dhe dëmit ekonomik maksimal.

Mario Monti, kryeministri teknokrat italian gjatë viteve 2011-2013, e përmblodhi shumë bukur këtë situatë:“Në Gjermani,ata ende mendojnë se ekonomia është një degë e filozofisë morale”. Edhe në mesin e pandemisë, ishte presidentit francez Emmanuel Macron, ai që imponoi integrimin e vonuar fiskal, që kishte qenë gjithmonë i nënkuptuar në projektin e një monedhe të përbashkët evropiane.

Duke kthyer kokën pas, ne mund të shohim se këmbëngulja e Merkelit – dhe e Wolfgang Schaeuble -mbi masat e ashpra të kursimit, shkaktoi një dëm ekonomik që mund të shmangej. Edhe pse jo për gjermanët. Por ai nuk ka qenë gabimi i vetëm i madh strategjik i karrierës së Angela Merkel.

Gjatë një aktiviteti të transmetuar drejtpërdrejt në televizionet gjermane në korrik 2015, Merkel bëri të qajë një refugjate të re palestineze, kur itha se familja e saj mund të përballej me dëbimin. “Në kampet e refugjatëve palestinezë,ka mijëra e mijëra njerëz. Nëse ne u themi:Mund të vini që të gjithë…Ne thjesht nuk mund ta menaxhojmë dot këtë situatë”.

Por 6 javë më vonë, Merkel hapi portat e Gjermanisë duke deklaruar:“Ne mund ta menaxhojmë këtë situatë!”. Deri më sot janë ofruar të gjitha llojet e shpjegimeve historike për ndryshimin epokal të qasjes së Merkel, përfshirë edukimin e saj në Gjermaninë Lindore dhe babanë e saj, një prifti luterian.

Kush e di? Përballë lotëve të adoleshentes së re Reem Sahwil, reagimi i kancelares ishte një përpjekje impulsive për ta ngushëlluar, e ndjekur nga një kthesë e fortë, e njëanshme, nga e cila më vonë duhet të tërhiqej. Ajo ishte një nga lëvizjet e rrallat në politikë:një piruetë e plotë 360 gradë.

Por në histori motivet kanë më pak rëndësi sesa pasojat. Vendimi i Merkel çoi në një rritje prej 1.2 milionë kërkesash për azil gjatë viteve 2015-2016, rreth 1/3 e tyre nga sirianët. Ose më shumë se sa dyfishi i numrit të aplikantëve në 6 vitet e mëparshme. Treçereku i azilkërkuesve ishin të moshës 30 vjeç ose më të rinj; 60 për qind ishin meshkuj.

Rreth gjysma e kërkesave u miratuan, por vetëm rreth 80.000 prej atyre që iu refuzua azili u dëbuan. Rreth 76 për qind e refugjatëve të pranuar ishin myslimanë. Pasojat afatgjata të këtij fluksi masiv mbeten të shihen në të ardhmen. Sipas Qendrës Kërkimore Pew, popullsia myslimane e Gjermanisë (6 për qind në vitin 2016), mund të jetë midis 8.7-19.7 për qind deri në vitin 2050, në varësi të shkallës së ardhshme të emigrimit (për të mos përmendur tendencat në normat e lindjeve).

Por pasojat afatshkurtra janë të qarta, siç e ka treguar edhe bashkëshortja ime Ayaan Hirsi Ali në librin e saj “Preja”. Fluksi i të rinjve nga vendet me shumicë myslimane kontribuoi ndjeshëm në një valë të krimeve seksuale të kryera kundër grave gjermane, nga të cilat sulmet masive në Këln natën e Vitit të Ri 2015-2016 ishin vetëm më të raportuarat.

Kjo ishte një arritje e çuditshme për gruan konservatore, që në tetor 2010 ishte shprehur në një takim me anëtarët më të rinj të partisë së saj Unioni Kristiandemokrat në Potsdam se përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri multikulturore në Gjermani kishin “dështuar plotësisht”.

Pasojat e paqëllimshme të krizës së emigracionit, u shtrinë përtej sigurisë së rrugëve dhe hapësirave të tjera publike në Gjermani. Humbja e plotë të kontrollit në kufirin evropian, diktoi debatet në Britani për të qëndruar apo jo në Bashkimin Evropian. Siç vërejti me keqardhje David Cameron, shumë votues britanikë që shihnin skenat në kufirin gjerman në lajmet e mbrëmjes thanë me vete:“Na nxirrni sa më shpejt prej këtej!”.

Eunews.al

Comments are closed.