Shtatë mitet rreth vaksinës së koronavirusit



Ndërsa vaksinat mbi koronavirusin po bëhen më të kudogjendshme, po kështu ndodh edhe me keqinformimet, mitet dhe keqkuptimet rreth tyre.
Dhe kjo është për të ardhur keq, pasi këto të pavërteta e vonojnë pranimin e vaksinave nga qytetarët dhe imunizimin shumë-përhapur, që është mënyra më e shpejtë dhe më e mirë për të filluar rikthimin në një mënyrë më normale të jetës. Ja cilat janë 7 mitet më të zakonshëm mbi to.
Vaksina dëmton pjellorinë, veçanërisht tek të rinjtë
Vitin e kaluar, një mjek gjerman dhe një ish-punonjës i kompanisë “Pfizer”, ngriti shqetësimin se proteina që vesh nga jashtë koronavirusin, ishte në një farë mënyre e ngjashme me një proteinë që është pjesë e funksionimit të një placente të shëndetshme gjatë shtatzënisë.
Ndaj, sipas tij zhvillimi i antitrupave ndaj kësaj proteine nga një vaksinë, mund të çojë në prodhimin e antitrupave që mund të sulmojnë gjithashtu trupin e një gruaje kur ajo është shtatzënë apo kur përpiqet të mbetet shtatzënë, duke i sjellë komplikime. Por kjo teori është e gabuar. Nuk ka asnjë provë se vaksinimi çon në antitrupa që sulmojnë placentën. Ndërsa testet e Pfizer u përpoqën të përjashtonin gratë shtatzëna, dhe vetëm një pjesë e tyre, 23 gra ishin shtatzëna, apo kishin mbetur shtatzënë pas vaksinimit.
Dy dëme anësore janë vërejtur tek testet: një abort spontan dhe produkte të bartura të ngjizjes (ind placentar ose fetal që mbetet në mitër, shpesh pas abortit); por që të dyja ndodhën në grupin placebo, pra që nuk morën vaksinën, por një ujë me sheqer.
Entoni Fauçi, këshilltari kryesor mjekësor i presidentit Bajden për pandeminë, tha të mërkurën e shkuar se deri më tani janë vaksinuar më shumë se 10.000 gra shtatzëna, dhe asnjëra nuk ka pasur probleme.
Pasi të vaksinoheni, mund t’i riktheheni jetës normale si para pandemisë
Fatkeqësisht kjo nuk është e vërtetë. Vaksinat kanë treguar deri tani se parandalojnë sëmundjen simptomatike, si dhe format më të rënda të saj, që sjellin shtrimet në spital
apo vdekjen. Por ne nuk e dimë ende nëse ato i parandalojnë infeksionet asimptomatike. Ka të ngjarë që njerëzit e vaksinuar të infektohen sërish, të mos jenë të vetëdijshëm për këtë dhe ta përhapin koronavirusin tek të tjerët. Derisa sa të mësojmë më shumë mbi këtë, duhet të vazhdojmë të mbajmë maskën, të rrimë të distancuar nga të tjerët dhe të jemi të kujdesshëm.
Kur të arrijmë imunitetin e tufës, pandemia do të ketë mbaruar
Imuniteti i tufës, i referohet një situate ku në një komunitet ekziston një mbrojtje e mjaftueshme,qëe bën shumë të vështirë, në mos të pamundur një rritje eksponenciale të infeksioneve. Imuniteti i tufës, do të na mbrojë nga një numër i madh rastesh me Covid-19, vetëm pasi ta kemi ndalur përhapjen e tij. Por asnjë vend nuk është ende afër kësaj pike.
Efektet anësore të kësaj vaksine, janë shumë më të rënda se ato të vaksinave tipike
Reagimet alergjike, nuk janë një arsye për të shmangur vaksinimin . Shumë pak njerëz që janë vaksinuar kanë përjetuar anafilaksi, një reaksion i rëndë alergjik. Më shumë kanë përjetuar simptoma si dhimbje, të dridhura dhe ethe.
Por ato nuk janë një shkak për t’u shqetësuar. Përkundrazi janë shenja se sistemi imunitar i trupit tuaj funksionon. Disa ngjarje më të rënda, si vdekjet tek pacientët e moshuar dhe me shëndet të dobët duhet të hetohen, por ka shumë gjasa që kjo të jetë një rastësi dhe jo e papritur në atë popullatë.
Studimet u nxituan, dhe etapat u dogjën
Së pari, në këtë rast punuan më shumë shkencëtarë sesa për çdo vaksinë tjetër më parë. Ndërkohë, kishte pasur një volum të madh pune kërkimore që me vaksinat e koronavirusit që shkakton SARS-in. Përveç kësaj, për shkak të investimeve të mëdha publike dhe një tregu të garantuar në të gjithë botën, shumë kompani u fokusuan me shpejtësi tek zhvillimi i vaksinës.
Sëmundja e Covid-19 është më pak e rrezikshëm se vetë vaksina
Njerëzit dëgjojnë shpesh të flitet mbi rreziqet e efekteve anësore, dhe të supozojnë se është më mirë të mos vaksinohen. Ata po i krahasojnë këto rreziqe me shëndetin normal, në vend të rrezikut të vetë Covid-19. Në fakt kjo qasje është tërësisht e pajustifikuar:Covid është i shumë-përhapur dhe i rrezikshëm.
Një vaksinë që është vetëm 70 për qind efektive, nuk ia vlen të përdoret
Është shumë pozitiv fakti që gjatë testeve vaksinat e Moderna dhe Pfizer, kanë qenë rreth 95 për qind efektive kundër sëmundjes simptomatike, por ai nivel i efektivitetit nuk është i nevojshëm. Vaksina e poliomelitit e Xhonas Salk ishte 80-90 për qind efektive dhe ndryshoi botën.
Ky është një version i problemit të perceptimit, me të cilin përballet çdo vit vaksina e gripit. Njerëzit nuk pranojnë ta marrin, pasi ajo nuk është “mjaftueshëm i mirë”. Ata kanë nevojë për përcaktorin e“mirë”. Sa më shumë njerëz vaksinohen, aq më shumë sëmundshmëri dhe vdekshmëri shmangim. Vaksina më e mirë ndaj koronavirusit, është ajo që mund të merrni sa më shpejt të jetë e mundur./ NYT
Eunews.al

