×
Wednesday, October 16, 2024

“Shqiptarët kanë përballë dy kartolina; ne respektojmë masat antikovid, ata vendosin partinë mbi shëndetin e njerëzve”

March 25, 2021


Kryeministri Edi Rama, në çelje të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, u ndal te ndryshimi i madh mes mazhorancës, e cila respekton rregullat antikovid, dhe opozitës, e cila sipas tij, tregon papërgjegjshmëri duke mos respektuar shtetin dhe rregullat e vendosura.

“Sot ne nisim në fakt fundin e një fushate që nuk ka ndaluar në asnjë moment qysh nga dita që kemi marrë mandatin tonë të parë, sepse sot zyrtarisht nis fushata e zgjedhjeve të 25 prillit. Ne jemi këtu të gjithë së bashku për të respektuar me mish e me shpirt këtë moment, ku demokracia na imponon të dalim para popullit. Të themi çfarë ne mendojmë se kemi bërë, dhe të ndajmë me njerëzit atë që ne besojmë se do të bëjmë. Në një moment si ky sot, ne që jemi mësuar të kalojmë përmes këtyre detyrimeve që janë edhe nga pjesët më të bukura të jetës politike kur shkon te njerëzit, je me ta dhe së bashku me ta ndan energjinë e madhe që prodhon ndeshje, jemi faktikisht çuditshëm, sepse e tillë është koha”, tha Rama.

Ndryshe nga herët e tjera, Kryeministri tha se, “jemi këtu duke bërë përpjekjen tonë serioze që ndërkohë që bëjmë detyrën të respektojmë edhe rregullat e kësaj kohe”.

“Besojmë se bëjmë shumë mirë ashtu, sikurse besoj se në këtë veçori të paparë dhe të papërsëritshme uroj në pjesën tjetër të jetës sonë që vjen, ta shohim si një moment që na jep mundësinë të bëjmë një fushatë, ku jo vetëm flasim por edhe dëgjojmë. Fushatë ku fjala peshon shumë më tepër sesa gjuajtja e saj përballë një turme të madhe dhe ku njerëzve iu jepet mundësia të ndjekin me kujdes dhe qetësi ato që ne themi”, tha Rama.

Rama tha se “është një sfidë me vete e gjitha kjo”. “Ne kemi mundësi në këtë sfidë të bëjmë një dallim shumë të madh, që po e bëjmë edhe sonte praktikisht”, tha ai.

Kryeministri theksoi se “sonte, ne dhe ata, u kemi vënë para syve njerëzve dy kartolina në një ekran televizori të ndarë”.

“Mjafton të shohësh dy kartolinat për të kuptuar ndryshimin e madh, hendekun e jashtëzakonshëm që na ndan ne dhe ata në mënyrën tonë të të qenit dhe në marrëdhënien tonë me njerëzit dhe me shtetin. Këtu ka respekt për shtetin, për ligjin, për rregullat që i kemi vënë të gjithë së bashku dhe të gjithë së bashku i kemi pranuar dhe mbi të gjitha njerëzit e zakonshëm të këtij vendi i kanë pranuar dhe zbatuar përditë. Ndërkohë që atje nuk ka respekt për shtetin, për ligjin, rregullat e njerëzit”, tha Rama.

Kjo, tha ai, “është fytyra e fushatës sonë, ndërsa fytyra e fushatës së tyre është krejt tjetër”.

“Këtu ka përgjegjshmëri qytetare, njerëzore, familjare, atje sundon papërgjegjshmëria në atë kartolinën e tyre. Këtu shëndeti i njerëzve, i të gjithë njerëzve, është edhe njëherë si çdo ditë mbi gjithçka tjetër dhe mbi partinë patjetër. Ndërsa atje, partia është edhe mbi shëndetin e njerëzve. Këtu ka respekt për mjedisin, për hapësirën dhe për ajrin, atje ka ndotje dhe ka zhurmë. Se si mund të mblidhen në këtë kohë, ku në fund të fundit dallimin e madh mes përgjegjësisë dhe mungesës së saj e bën një akt fare i thjeshtë, që është akti i të qenit të vëmendshëm dhe të kujdesshëm për shëndetin dhe mbi të gjitha të qenit respektues ndaj kryeqytetit”, tha Rama.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments