×
Friday, October 11, 2024

Shqipërisë i duhet një president që rrezaton normalitet, integritet e respekt të ndërsjellë mes institucionit dhe partnerëve tanë 

April 19, 2022


Grupi Parlamentar Socialist starton procesin e identifikimit të kandidaturës për Presidentin apo Presidenten e Republikës

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i PSSH në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste:


Mirëdita të gjithëve!

Sot siç edhe jeni informuar jemi mbledhur për të startuar edhe brenda grupit tonë parlamentar procesin e identifikimit të kandidaturës më të përshtatshme për Presidentin apo Presidenten e re te Republikës. Për herë të parë Partia Socialiste ka mundësinë ta zgjedhë e vetme Presidentin apo Presidenten e Republikës, çka do të thotë se për herë të parë Partia Socialiste ka të gjithë përgjegjësinë për cilësinë e kandidaturës.


Natyrisht që në pamje të parë kjo duket një sfidë e lehtë, po të kemi parasysh që thuajse çdo kandidaturë që mund të plotësonte disa kritere fare elementare, si për shembull, njohjen e gjuhës shqipe, si për shembull pasjen e një karriere profesionale, si për shembull, vetëpërmbajtjen në raport me ligjin dhe me Kushtetutën, do të ishte më e mirë sesa Presidenti aktual i Republikës se Shqipërisë.


Nga ana tjetër, ajo çka e bën këtë moment shumë përcaktues për karakterin, për ambicien dhe për profilin e Partisë Socialiste, është se nuk mjafton thjeshtë të zgjedhim një person që do të ishte më i përshtatshëm për atë rol sesa Ilir Meta, gjë që do ta përmbushnin si kriter 90% e shqiptarëve, por është që të zgjedhim një figurë për të luajtur në 5 vitet e ardhshme rolin e kreut të shtetit, që të rrezatojë normalitetin, që të ketë integritet, që të garantojë respekt të ndërsjellë mes institucionit të Presidentit të Republikës dhe aleatëve tanë strategjikë, partnerëve tanë e miqve të Shqipërisë, që të sigurojë gjithashtu një nivel profesionalizmi në adresimin e të gjithë gamës se çështjeve që lidhen me Presidentin e Republikës, sikundër dhe të përçojë një frymë përbashkuese për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, përtej bindjeve të tyre politike, përtej të gjitha dallimeve të natyrshme mes tyre.


Këtu sfida vështirësohet dhe këtu përzgjedhja është shumë më e ngushtë sesa ç’do të ishte në sy të parë përzgjedhja e një pasuesi të Presidentit më skandaloz që ka njohur historia e atij institucioni dhe praktikisht të Presidentit më të papërsëritshëm në llojin e vet që Shqipëria ka patur taksiratin të ketë mbi krye. Këtu është rasti për ta përsëritur! Zgjedhja e Ilir Metës President ishte një zgjedhje me detyrim përcaktim për ne, që nuk i kishim votat për të zgjedhur Presidentin e Republikës dhe që njëkohësisht gjendeshim në një kontekst politik te jashtëzakonshëm po të kemi parasysh se mungonte opozita zyrtare në sallë dhe nga ana tjetër vullneti dhe dëshira jonë ishte që zgjedhja jonë të binte mbi dikë që në një fare mënyre do të mund ta përfaqësonte edhe opozitën. Në ato kushte ne zgjodhëm një President për opozitën, por duke menduar aso kohe se do të ishte dhe një president për Shqipërinë natyrisht.


Rrjedhja e ngjarjeve tregoi krejt të kundërtën për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe natyrisht i dha vendit një President i cili ishte shëmbëlltyra më e keqe e opozitës më të keqe që ky vend ka patur qysh prej vitit 1991.


Sot jemi në kushte të tjera dhe sot jemi përballë një sfide që duhet ta shohim si një përgjegjësi shumë të madhe dhe jo si një mundësi të lehtë për t’i imponuar vendit një President apo një Presidente që thjesht dhe vetëm do të përmbushte me sukses gjysmën e kornizës politike të Shqipërisë, duke qenë faktikisht një figurë tërësisht e ngjyrosur politikisht. Nuk është kjo që na duhet dhe nuk është kjo që duam të bëjmë. Ajo që duhet të bëjmë është që të bëjmë një sforco të përbashkët duke i hapur rrugë ideve, sugjerimeve, propozimeve të gjithsecilit dhe gjithsecilës këtu, në një proces konfidencial, në sensin që ne nuk mund të bëjmë një diskutim të hapur në këtë fazë dhe të hedhim emra që pastaj bëhen mish për topat e mediave dhe të llafeve e të thashethemeve, por duhet të bëjmë një proces që të jetë në respekt të atyre njerëzve që për një arsye apo për një tjetër do të përfshihen në këtë rezervuar po themi burimesh, ku pastaj do të identifikojmë kandidaturën më të përshtatshmit.


Natyrisht që procesi nuk mund të mbetet i mbyllur vetëm brenda grupit parlamentar dhe për këtë arsye ne kemi edhe komision të përbërë nga kryetari i grupit, nga ministrja e Marrëdhënieve me Parlamentin dhe nga sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste për të komunikuar edhe me pjesët e tjera të Kuvendit të Shqipërisë, por për të hapur një kanal edhe me publikun, gjë që tanimë është bërë duke i dhënë të gjithëve mundësinë që të bëjmë propozimet e tyre.


Ka patur dhe ka aktualisht një debat lidhur me pse-në e mos gjetjes së Presidentit të Republikës së Shqipërisë nga populli dhe ripërsëritjen e të njëjtit proces, që sidoqoftë mbetet një proces i kufizuar në kornizën e veprimtarisë së partive politike në Kuvend. Natyrisht që është një temë që meriton të diskutohet. 


Natyrisht që, në të gjitha rastet në kushtet ku jemi, Presidentin apo Presidenten do ta zgjedhe Kuvendi, por ne kemi detyrimin t’i japim njerëzve mundësinë që të shprehen për këtë temë, natyrisht që duke përcaktuar në të njëjtën kohë, disa piketa sepse Shqipëria është një Republikë e pastër Parlamentare dhe si e tillë nuk e mban dot në të gjithë ngrehinën e vet institucionale dhe kushtetuese një president të zgjedhur nga populli me këto atribute dhe kompetenca që figura e kreut të shtetit ka sot, por patjetër që Shqipëria mund ta zgjedhë një President nga populli nëse do të ndryshojë ngrehinën e vetë kushtetuese dhe do t’i japë presidentit disa instrumente që e bëjnë një figurë të zgjedhur nga populli, një figurë që njëkohësisht ka peshën dhe zërin e vet bazuar në atributet që jep Kushtetuta dhe që nuk bëhet qesharak dhe i rrezikshëm, duke rrëshqitur jashtë binarëve të Kushtetutës, siç ndodhi me Ilir Metën, i cili shkeli Kushtetutën, gjë që e konfirmoi dhe Gjykata Kushtetuese, duke konfirmuar drejtësinë e Kuvendit të Shqipërisë, por duke lënë në mes të rrugës vendimin e vet, pasi e konsideroi shkeljen jo mjaftueshmërisht të rëndë për ta shkarkuar presidentin.


Se çfarë duhet të bënte tjetër Ilir Meta që të shkarkohej, kjo mbetet një enigmë që s’do ta mësojmë kurrë, por faktikisht ajo që na duhet në rast se do të shkojmë në drejtim të zgjedhjes së një presidenti nga populli, është një diskutim i gjerë edhe me të gjithë faktorët e tjerë edhe me publikun se çfarë do të thotë kjo në thelb. Do të thotë ndryshime të tjera të Kushtetutës dhe për këtë arsye mendoj se kjo do të jetë një temë për Këshillimin e ardhshëm Kombëtar dhe natyrisht një temë për një referendum popullor.


Ndërkohë, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka ngarkuar prej disa kohësh një ekip këtu brenda për të përgatitur dhe ligjin për Presidentin e Republikës, gjë që nuk e kemi shtyrë më tutje, duke e quajtur të panevojshme që në kushtet kur kemi të bëjmë me një president që nuk e njeh ligji, që nuk njeh Kushtetutën dhe që nuk njeh asnjë lloj binari, përveç binarit linear të mos arsyes së vetë, do të ishte e kotë, prandaj paralelisht me zgjedhjen e presidentit do të fusim në proces edhe ligjin për presidentin, gjë që do të bëjë që presidenti apo presidentja që do të zgjidhet do të hyjë në zyrë, duke pasur edhe një ligj që rregullon veprimtarinë e vet, si në çdo republikë tjetër parlamentare.


Na takon ta bëjmë këtë, ashtu sikundër edhe ligjin që Taulanti e përmendi, duke ironizuar me të drejtë në fakt, qeverinë për medaljet, e kemi gati dhe edhe atë nuk e kemi futur në procesin e miratimit pikërisht sepse do të ishte përsëri e kotë ta bënim këtë, pa u larguar fillimisht presidenti me tonelatat më të larta të teneqeve të shpërndara në Shqipëri qysh se Shqipëria ka hyrë në epokën e bronzit. Kemi faktikisht të vetmin sistem pa sistem titujsh e medaljesh në botë. 


Grupi i punës që ka hartuar projektin ka studiuar të gjitha kontinentet me kërkesën tonë që të kemi një studim të plotë për sistemin. Në të gjitha kontinentet, nga Britania e Madhe në Japoni, nga Polonia në Australi, nga Nigeria në Brazil, sistemi i titujve dhe medaljeve është sistem i njohur, nuk ka 100 sisteme dhe është o njëri, o tjetri. Shqipëria bën një përjashtim flagrant nga e gjithë kjo dhe është i vetmi vend në botë, ku falë Ilir Metës dekorohen të vdekurit dhe u jepen tituj dëshmorëve dhe heronjve të luftës që në logjikën e sistemit të titujve dhe medaljeve përbën një shkelje edhe më të rëndë sesa edhe shkelja e Kushtetutës, në sensin e antilogjikës.


Nga njëra anë, të gjithë ata që e kanë lënë këtë sistem, përfshirë dhe ne që kemi pasur kohën e nevojshme me kohë për ta ndryshuar, kanë kontribuar që Shqipëria të jetë vendi më qesharak i globit, por Ilir Meta e ka bërë Shqipërinë qesharake me dekret presidencial.


Edhe kjo do të ndryshojë, është shumë e rëndësishme për shtetin, është shumë e rëndësishme për seriozitetin e një shteti dhe kështu do të kemi një shtet më serioz, duke pasur një figurë serioze për president apo presidente. Duke pasur një ligj për institucionin e presidentit me gjithë seriozitetin e nevojshëm dhe duke pasur një sistem titujsh e medaljesh serioz siç e ka gjithë planeti, përveç Republikës së Shqipërisë.


E fundit gjë që kam, do të ftoja të gjithë ju që përtej këtij procesi që nisim sot me propozimet e sekretuara të gjithsecilit që do të administrohen nga komisioni përkatës, të vazhdojmë të jemi të gjithë aktivë në këtë proces për të dalë në konkluzione sa më të shëndetshme dhe për të arritur ti ofrojmë Kuvendit dhe pastaj Republikës tonë, një figurë dinjitoze për kreun e shtetit dhe A-ja dhe Zh-ja mes gjithë germave të tjera për përcaktimin e kësaj figure, duhet të jetë një njeri normal.
Na duhet një njeri normal në krye të shtetit. Na duhet një president normal. Na duhet një presidente normale. Kjo është më e rëndësishmja. Për të gjetur një kandidaturë të një njeriu normal, duhet të niseni nga e kundërta e Ilir Metës dhe të kërkoni dhe me siguri do të gjeni, jo pak.


Për të gjetur kandidaturën më të përshtatshme mes një grupi kandidaturash me njerëz normalë, do të avancojmë në fazën tjetër. Besoj që Taulanti duhet t’i japi disa shpjegime të tjera grupit, lidhur me procesin e nisur nga komisioni dhe me kalendarin e komunikimit me pjesët e tjera të Parlamentit, ashtu sikundër edhe për pjesën e kandidaturave apo propozimeve që mund të bëhen nga vetë publiku.


Faleminderit!

                                                *************************************************************************************************

Meqë edhe pak kanë mbetur dhe që të mos humbasim kohë, do doja të flisja edhe për një temë tjetër, për të cilën besoj që të gjithë deputetët do angazhohen. 
Siç e kemi premtuar, Këshillimi Kombëtar dhe të gjithë rezultatet e Këshillimit Kombëtar do të jenë prioritet për qeverinë në mënyrë që të adresojmë me shpejtësi dhe cilësi vendimmarrjet tanimë të qarta, falë kontributit të mbi gjysmë milioni shqiptarëve. Për këtë proces, të gjithë ministrat respektiv janë angazhuar dhe sot menjëherë pas kësaj mbledhjeje, kemi një takim për të parë se ku jemi me të gjitha iniciativat e nevojshme. Ndërkohë që më pas, sapo të jenë bërë gati draftet e para, do duhet të bëjmë një cikël diskutimesh me grupin, me të gjithë grupin dhe pastaj paralelisht me komisionet përkatëse sepse janë disa akte të rëndësishme ligjore që duhet t’i ndërmarrim mundësisht dhe do bëjmë çmos për këtë, brenda këtij sesioni, në mënyrë që me të gjitha ato nisma të mund të fillojmë zbatimin dhe njerëzit ta shikojnë konkretisht rezultatin e Këshillimit Kombëtar dhe të pjesëmarrjes së tyre.


Nga ana tjetër, ajo për të cilën është shumë e nevojshme që të kemi një kontribut të të gjithë deputetëve, është përpilimi i Këshillimit të ardhëm Kombëtar, që duhet ta diskutojmë por me shumë gjasa do të na duhet ta bëjmë në fund të vitit, pasi kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi shumë kërkesa nga qytetarët pjesëmarrës, por tani edhe nga qytetarë të tjerë që nuk kanë marrë pjesë sepse kanë qenë skeptikë. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që në temat e Këshillimit Kombëtar të prekim tema që janë me interes të drejtpërdrejtë me ta.


E treta lidhur me këtë, në vijim në periudhën maj-qershor, do të organizojmë një lëvizje në të gjithë Shqipërinë, me pjesëmarrjen e të gjithë ministrave, të gjithë deputetëve, të gjithë kryetarëve të bashkive, për të trajtuar qoftë temat e këtij Këshillimi Kombëtar e qoftë temat që shqetësojnë komunitete të ndryshme, si dhe për të adresuar të gjitha problematikat me të cilat hasemi, në niveli ne qeverisjes qendrore dhe në nivelin e qeverisjes vendore.


E thashë këtë paraprakisht sepse shumë shpejt do na duhet të ulemi përsëri dhe është mirë që të gjithë të jenë të përgatitur për këtë në mënyrë që të diskutojmë për të dyja aspektet.


E para, lidhur me cilat janë temat që duhet të trajtojë Këshillimi i ardhshëm Kombëtar. 


E dyta, cilat janë problematikat e zonave, por sigurisht pa u kufizuar tek një zonë e kujdesit të drejtpërdrejtë të çdo deputeti, por duke u munduar të jemi më sintetikë për qarkun përkatës. Na duhet të kemi një pamje shumë të qartë të situatës së çdo qarku, parë me sytë e deputetëve dhe natyrisht të komuniteteve.


Kështu që duke qenë realisht falenderues për të gjithë ata që kontribuuan për Këshillimin Kombëtar dhe duke shpresuar për kontributin e të gjithëve në vijim, dua ta mbyll duke thënë këtë gjë, që ky proces që sapo kryem këtu është shumë i rëndësishëm dhe natyrisht që është në natyrën njerëzore, por është edhe më e theksuar mbase, në disa popuj ndër të cilët hyjnë dhe shqiptarët, që për çdo gjë të re të ketë mosbesim dhe madje dhe teori konspiracioni, por realisht për mua është jashtëzakonisht e rëndësishme që Partia Socialiste të dalë faqebardhë nga ky proces dhe të mos kthejë kokën mbrapa dhe të mos jetë e detyruar të përballet çdo ditë me fatalitetin e një zgjedhjeje që në rastin e Ilir Metës ishte një zgjedhje me detyrim-përcaktim, por sidoqoftë na u desh të përballemi për një kohë të gjatë me fatalitetin e asaj zgjedhjeje. Ndërkohë që këtë herë nuk na falet në asnjë mënyrë që të bëjmë një zgjedhje me të cilën të përballemi si një fatalitet pastaj për Republikën, për institucionin e për të gjitha.


Siç thotë populli i vjetër dhe i lavdishëm kinez, “një mendje, hiç mendje. Dy mendje, gjysmë mendje. Tre mendje, një mendje”, është shumë e rëndësishme që të gjithë që janë këtu ta kuptojnë që nxjerrja e një kandidature nuk mund të jetë dot e suksesshme nëse është një mendje apo dy mendje, por duke mbledhur të gjitha mendjet dhe duke parë në fund se ku na çon procesi. 


Patjetër që ky proces duhet të jetë konfidencial, siç e bëmë këtu dhe siç do ta përsërisim mbase, po të jetë nevoja edhe në Kryesinë e partisë me një grup më të vogël kandidaturash, për shkak se ne nuk mund të marrim nëpër gojë gjithë dynjanë publikisht dhe nga ana tjetër, ne e dimë shumë mirë që nëse këtu flasim qoftë edhe pa kamera, prapë fjalët marrin dhenë përderisa flitet për emra. Nuk na e ka borxh askush që të fillojmë të diskutojmë, “Jo, po mua më pëlqen ky, mua më pëlqen ai, po sikur të jetë ajo”. Kështu që, në respekt të gjithë emrave që secili ka në mend apo dëshiron të propozojë, por edhe për të pasur sa më shumë pjesëmarrje në proces, ne besoj se po bëjmë gjënë e duhur.


Unë dua t’i siguroj të gjithëve që absolutisht ky proces është 100% real, i vërtetë, serioz sepse të gjithë së bashku dhe unë në krye, sepse unë e kam nderin më të madh këtu nga të gjithë ju, kemi një përgjegjësi shumë të madhe. Askush nuk mund ta mbajë dot këtë përgjegjësi vetëm dhe ndërkohë, të gjithë deputetët duhet të ndjehen pjesë e procesit realisht dhe në fund vota të vijë si rezultat i një procesi ku edhe nëse nuk je 100% i bindur që kjo është zgjedhja e duhur, prapë ke bindjen që përderisa ka një konsensus të brendshëm rreth një kandidature, kjo është gjëja që duhet bërë dhe kjo është shumë e rëndësishme.


Duhet të shohim edhe mundësinë që të hyjmë në raundet e para me më shumë se një kandidaturë. Nuk ka asnjë arsye pse jo, në rast se gjendemi në kushtet kur kemi më shumë se një kandidaturë që na duket e arsyeshme dhe asnjëra nuk na duket plotësisht konsensuale. Të gjitha këto do t’i shikojmë në proces. 


Ajo që mbetet është që Taulanti me ministren dhe Sekretarin e Përgjithshëm të bëjnë pjesën tjetër të procesit me pjesët e tjera të Kuvendit, duke ofruar të gjithë disponibilitetin dhe nëse patjetër do kemi propozime të arsyeshme prej tyre, nuk kemi asnjë arsye pse të mos i marrim në konsideratë. Përkundrazi, ne nuk na duhet një President për Partinë Socialiste, ne na duhet një President për Shqipërinë dhe Partia Socialiste ka detyrimin që t’i japë Shqipërisë një president që edhe ata të cilët nuk e kanë votuar apo partitë e të cilëve nuk e kanë votuar, në rast se nuk e votojnë, të ndjehen minimalisht të qetë se kanë një njeri normal aty. Është shumë e rëndësishme kjo, sado e çuditshme duket, se normalisht Presidenti gjëja e parë që duhet të plotësojë është të jetë njeri normal. Mirëpo kemi pasur probleme me normalitetin e Presidentëve të fundit, por sidomos me këtë të fundit, kemi realisht thyer një nga ato rekordet e anormalitetit. 


Kështu që besoj se përfshirja e të gjithëve do jetë shumë pozitive në vazhdim dhe natyrisht, ky është një proces i hapur. Nëse ka për të shtuar, unë i kam kërkuar ministrave që përtej propozimeve të tyre si deputet, këtu të sjellin përsëri konfidencialisht edhe propozime të mundshme që vijnë nga fushat që ata drejtojnë, gjë që mund ta bëni të gjithë ju, nëse 3 emrat që sot keni shkuar nuk mjaftojnë dhe mbase një emër tjetër del.


Tani do shikojmë si do ta çojmë procesin në fazën ku do të konsultojmë me të gjithë ju kandidatura të caktuara. Kjo është pjesë delikate, pikërisht për atë që thashë, më shumë se për çdo gjë tjetër, për të ruajtur nga thashethemet, nga sulmet dhe marrëzitë njerëzit që përfshihen me dëshirë të mirë nga gjithsecili, si emra.




Comments are closed.