×
Tuesday, July 23, 2024

Shqipëria shumë pranë integrimit në BE

May 23, 2021


Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca ndodhet në Korçë në kuadër të një turi të nisur që prej ditës së Europës nga ku ka dhënë disa mesazhe. Soreca deklaroi se Shqipëria ka bërë progres të madh dhe se tani është një moment kyç për të ardhmen e vendit, duke e cilësuar më pranë BE se asnjëherë.

“Është kënaqësi që ndodhem në Korçë ku ka ndaluar autobusi i BE-së për javët e Europës 2021. Në fakt ne arritëm mbrëmë dhe ka qenë kënaqësi që të shihnim koncertin e Eurovision, ku përfaqësuesja e Shqipërisë është nga qyteti i Korçës. Siç e dini ne kemi nisur një rrugëtim prej 3 javësh në Shqipëri nga veriu në jug dhe dëshirojmë që me anë të këtij udhëtimi të lëmë pas shqetësimet e krijuara nga pandemia dhe të jemi me qytetarët.
Është një mundësi e artë të flasim me njerëzit, të dëgjojmë prej tyre ku jetojnë, pritshmëritë e tyre, shqetësimet që ata kanë. Në veçanti kënaqësi të takohemi me të rinjtë që janë e ardhmja e Shqipërisë.
Gjatë këtij rrugëtimi ne dëshirojmë të flasim me drejtuesit vendorë që luajnë një rol thelbësor në procesin e integrimit në BE. Ne jemi shumë afër një momenti shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe duam t’iu kujtojmë të gjithëve rolin që qeverisja lokale luan dhe do të luajë në këtë proces në vitet që vijnë.
Sigurisht që ky është një moment i rëndësishëm dhe për ne që gjatë 3 javëve t’iu tregojmë qytetarëve për projektet që janë financuar nga BE, si IPARD apo BE për novacionin, apo BE për shkollat dhe për kulturën.
T’iu flasim qytetarëve shqiptarë, të rinjve në këto momente të rëndësishme për Shqipërinë, për të çuar më para rrugëtimin e Shqipërisë”, deklaroi ambasadori Soreca.

I pyetur për procesin e anëtarësimit në BE, Soreca deklaroi se BE nuk është i plotë në rast se në të nuk do të jenë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Do të them se çfarë një miku im i ngushtë shqiptar para disa javësh. Ai është profesor dhe në moshë, dhe ai më tha se Shqipëria ka bërë një progres të madh nga 1990. Ai shtoi se vajza ime mendon që ky ritëm nuk ka qenë aq i shpejtë, kjo do të thotë që Shqipëria ka bërë shumë progres dhe tani është pranë momentit për fillimin e negociatave dhe ne vërtetë mendojmë që kjo kohë ka ardhur. BE nuk është i plotë në rast se në të nuk do të jenë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Për këtë arsye mendoj që Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen pjesë e BE jo vetëm kur nëpërmjet zhvillimit, por dhe dëshirës së qytetarëve”, tha ambasadori.
Sa i përket reformës në drejtësi ai kujtoi sot 29-vjetorin e vrasjes së gjyqtarit italian Giovanni Falcone, duke theksuar se reforma por krijon shumë të tillë në Shqipëri.
“Për mua dita e sotme është një ditë mjaft e veçantë. Si sot 29 vjet më parë në Itali u vra gjyqtari Giovani Falcone. Ai ishte personi që e krijoi konceptin e ndjekjes së parasë. Ata vranë Falconen, por jo idetë e tij, parimet të cilat vazhdojnë dhe sot e kësaj dite. Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe luftës kundër pastrimit të parave. A mjafton kjo? Sigurisht që jo ka ende punë për të bërë, duhet të vazhdohet me konceptin e ndjekjes së parave. Do t’ia arrijmë. Reforma në drejtësi po krijon shumë Giovani Falcone”, tha Soreca.

Eunews.al



Comments are closed.