×
Thursday, July 7, 2022

Shqipëria porosit sistemet anti-tank “Javelin”, tmerrin e tankeve ruse në Ukrainë 

May 19, 2022

Kompania amerikane Lockheed Martin bëri të ditur në një njoftim për shtyp se mes porosisë së re të Pentagonit për raketat antitank që rezultuan vendimtare në luftën e Ukrainës, është edhe një sasi e porositur për t’u blerë nga Shqipëria.

Shqipëria është një nga disa vende që ka porositur për të blerë raketat antitank Javelin të prodhurara nga konsorciumi amerikan Javelin Joint Venture, e cila përbëhet nga kompanitë Lockheed Martin Corp dhe Raytheon Technologies Corp.

Lajmin e bëri të ditur Lockheed Martin në një njoftim për shtyp ku raportoi se blerjet e Shqipërisë, Norvegjisë, Letonisë dhe Tailandës janë pjesë e një porosie me vlerë 316 milionë dollarë nga Pentagoni.

Numri i raketave dhe vlera porosisë nga Shqipëria nuk bëhet e ditur.

Javelin është një sistem raketor që ka filluar të përdoret që nga viti 1989 dhe që pritet të përdoret së paku deri në vitin 2050, sipas kompanisë. Ajo kushton rreth 250 mijë dollarë për copë por është në gjendje të hedhë në erë një tank që kushton shumëfish më shtrenjtë.

Kompania prodhuese ka marrë kërkesa të shumëfishta nga vende të ndryshme të botës pas suksesit të demonstruar të këtij sistemi në luftën e Ukrainës, ku ushtria e Ukrainës arriti të mposhtë tanket e panumërta ruse falë efikasitetit të këtij sistemi.

Kompania pret që të rrisë prodhimin në rreth 2100 copë këtë vit.

Çfarë është sistemi “Javelin”

“Javelin” është një prej armëve më të sofistikuara në botë, që përdoret për shkatërrimin e tankeve dhe mjeteve të blinduara. Mbahet në sup dhe qëllon objektivin në mënyrë automatike pas lëshimit, duke i mundësuar ushtarit që të mbrohet dhe të evitojë kundërsulmet.

Duke përdorur një profil të harkuar në krye, Javelin ngjitet mbi objektivin e tij për shikueshmëri të përmirësuar dhe më pas godet aty ku objektivi është më i dobët. Për të qëlluar, gjuajtësi vendos një kursor mbi objektivin e zgjedhur.

Njësia e lëshimit të komandës më pas dërgon një sinjal të kyçjes përpara lëshimit të raketës. “Javelin” mund të gjuaj në mënyrë të sigurt nga brenda ndërtesave ose bunkerëve. “Javelin” është konceptuar dhe prodhuar nga Ushtria Amerikane dhe një e tillë kushton mbi 200 mijë dollarë amerikanë

Comments are closed.