×
Wednesday, September 11, 2024

“Shqipëria ka plotësuar të gjitha kushtet për hapjen e negociatave me BE-në”

March 5, 2020


Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, realizoi sot në Tiranë një takim me ministrin e Jashtëm të Polonisë, Jacek Czaputowicz, ministrin e Jashtëm të Letonisë, Edgars Rinkēvičs, ministrin e Jashtëm të Lituanisë, Linas Antanas Linkevičius dhe nënsekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane në Ministrinë e Jashtme të Estonisë, Märt Volmer.

Takimi kishte në fokus çështjet që lidhen me procesin integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe procesin e reformave në vend, ndërsa në përfundim të këtij takimi Cakaj dhe homologët e tij mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat. 

– Cakaj: Shqipëria ka plotësuar të gjitha kushtet për hapjen e negociatave me BE-në

Ministri Cakaj theksoi se Shqipëria ka plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian (BE).

“Qëllimi kryesor i kësaj vizite është pranimi i plotë i rezultateve madhore të Shqipërisë dhe mbështetja absolute për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE menjëherë. Miratimi i metodologjisë së re të negocimit nga ana e BE-së nuk përbën vetëm një zhvillim teknik, por edhe paraqet një moment të ri politik. Metodologjia e re e shpalosur nga Komisioni ju shërben veçanërisht vendeve skeptike ndaj zgjerimit që të sigurohen që procesi i bisedimeve do të ketë shkallën e mjaftueshme të rigorozitetit dhe masën e nevojshme të kontrollit politik”, tha Cakaj.

Sipas tij, forma e re e negociatave i siguron vendet anëtare në përgjithësi dhe vendet skeptike në veçanti, se përparimi në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian do të kushtëzohet drejtpërdrejtë nga përparimi i prekshëm, reformat e thella dhe zhvillimi i qëndrueshëm.

Ndërsa ministri polak Czaputowicz tha se objektivi kryesor është të dërgojnë një mesazh që janë të bashkuar, ndërsa shtoi se janë të kënaqur me metodologjinë e re të Komisionit Evropian që sjell sipas tij mundësinë për çeljen e negociatave.

“E njohëm progresin e Shqipërisë për të zbatuar reforma gjithëpërfshirëse. Presim me padurim që të dëgjojmë vendimin për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Ne e kuptojmë që hapja e negociatave është fillimi i procesit dhe gjatë negociatave do të ketë më tepër kërkesa për t’u përmbushur. Mendojmë që zgjidhja më e mirë është që të pranohet Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut si dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor si anëtarë të BE-së”, tha kryediplomati polak.

– “Hapja e negociatave është fillimi i një procesi të gjatë”

Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Linas Antanas Linkevičius, theksoi se mesazhin me këtë vizitë e kanë shumë të qartë për të gjithë Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, por në veçanti për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Jemi të mendimit që mos hapja e negociatave nuk ishte vendimi më i zgjuar i mundshëm dhe jemi ende të mendimit që ne duhet të hapim negociatat me këto dy vende. Por pavarësisht pengesave mesazhi ynë ishte i qartë që ne do të vazhdojmë të mbështesim dhe të bashkëpunojmë. Hapja e negociatave është fillimi i një procesi të gjatë”, u shpreh gjatë konferencës Linkevičius.

Edhe në vlerësimin e ministrit të Jashtëm të Letonisë, Edgars Rinkēvičs, hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian është vetëm fillimi i një rrugëtimi shumë të gjatë.

Rinkēvičs theksoi më tej se “Ne mendojmë se është e nevojshme të niseni në këtë rrugë dhe shpresojmë që në të ardhmen të kemi mundësinë të mirëpresim Shqipërinë në Bashkimin Evropian. Duke qenë vend anëtar i NATO-s vendi juaj po i përmbush të gjitha angazhimet”, theksoi Rinkēvičs.

Nënsekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane në Ministrinë e Jashtme të Estonisë, Märt Volmer, u shpreh se rikonfirmon që populli shqiptar e meriton shansin që të hapen negociatat. “Ne kemi mbështetje të palëkundur për reformat dhe për përpjekjet që janë realizuar këtu. Estonia ashtu si vendet e tjera mike është një prej vendeve që beson se procesi i zgjerimit është një proces ku fitojnë të gjitha palët”, tha Volmer.

Zyrtarët e Polonisë, Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë, kanë realizuar takime edhe me zyrtarë të tjerë të Shqipërisë.

Diplomatët si përfaqësues të grupit të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) “Miqtë e Zgjerimit”, dje zhvilluan vizitë edhe në Maqedoninë e Veriut.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments