Në Bruksel dje u çelën negociatat për grupkapitullin e radhës të Shqipërisë, atë të ‘Konkurueshmërisë dhe rritjes gjithëpërfshirëse’, duke e çuar në 4 nga 6 numrin e grupkapitujve të hapur në total.
Lidhur me këtë u diskutua edhe sot në emision ‘Sot Live në Shqipëri’, në Report Tv, ku Gledis Gjipali, ekspert i Çështjeve të Integrimit, tha se grupkapitulli i hapur ka çështje të rëndësishme.‘Ky ishte grupkapitulli i radhës dhe ka çështje të rëndësishme që lidhen me qytetarët dhe me bizneset, edukimi, kultura, shkenca dhe kërkimi. Ne kemi detyrim që të përputhemi 100 për qind me legjislacionin europian. Nuk ka një fat fundor se sa do të zgjasin grupkapitujt, por ka një angazhim nga qeveria shqiptare që të përfundojë deri në fund të 2027, ndërkohë që nga pala europiane nuk ka një angazhim të tillë. Ka vende si Serbia dhe Mali i Zi që kanë 12 vite në proces dhe nuk kanë caktuar një datë përfundimtare sepse procesi ka kohën e tij’, tha ai.


