Shqipëri, 68-vjeçari mban “gjallë” Radioamatorizmin



TIRANË- SAIMIR ALIJA
Radioamatorizmi është një hobi i shkëlqyeshëm teknik për të gjithë, i cili mundëson aftësimin teknik dhe njëkohësisht shërben për t’u argëtuar. Ky hobi aplikohet përmes komunikimit ndërmjet radioamatorëve me radiostacionet që kanë në shtëpi apo klube të veçanta. Një radiostacion amator mund të transmetojë fjalë, Kodin e Morsit, të dhëna ose imazhe. Përveç argëtimit, komunikimet me radio janë shërbime të vlefshme publike në raste të emergjencave të ndryshme, kur çdo mjet tjetër i komunikimit dështon.
Radioamatorizmi në Shqipëri u krijua në vitin 1952 dhe deri në vitin 1991 ky pasion zhvillohej në ambiente të mbyllura. Gjatë periudhës së komunizmit radioamatorizmi u zhvillua në mënyrë të izoluar dhe pa asnjë kontakt me botën. Në vitin 1990 filluan këmbimet e para me radioamatorët e huaj.
Për shumë vite u la disi në harresë dhe së fundi radioamatorët shqiptarë po marrin pjesë në shumë aktivitete. Një ndër të apasionuarit pas radioamatorizmit është edhe 68-vjeçari Sadik Agalliu, i cili që 30 vite ende e ruan me fanatizëm pasionin e tij për radioamatorizmin.
Duke folur për Anadolu Agency (AA), radioamatori Agalliu thotë se dëshira e tij për këtë hobi teknik është e hershme dhe se kjo dëshirë nuk ka për të mbaruar kurrë. Ai tregon se këtë profesion e ka mësuar gjatë kohës që shërbente në ushtri, duke qenë se para viteve të 90’ta radioamatorizmi i përkiste sektorit ushtarak dhe nuk lejohej komunikimi me botën, por më pas, thotë ai, kjo u shndërrua në një sport shumë popullor në Shqipëri.

Pas rënies së sistemit komunist, vijon më tej tregimin e tij Agalliu, në vitin 1991 ai nisi të krijonte Shoqatën e Radioamatorëve Shqiptarë, e cila shërbeu për njohjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
“Shumë persona më thonin në radio ku bie Shqipëri dhe unë ju thoja që Shqipëria është në zemër të Evropës. Ne bëmë një punë modeste. Vitet e para ja kushtuam shpërndarjes së hartës së Evropës me Shqipërinë për ta njohur dhe këtë e bëmë derisa arritëm në pikën që askush nuk na thoshte më që ku bie Shqipëria, pasi të gjithë e mësuan”, tha Agalliu.
Teksa komunikon në frekuenca me të apasionuar të tjerë pas këtij hobi, Agalliu ka edhe kodin e tij ndërkombëtar të identifikimit “ZA1E”, që njihet botërisht dhe që i është përcaktuar nga Zyra e Frekuencave pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në New York.
“Këto janë gjëra fikse që janë përcaktuar nga organizma ndërkombëtare, Zyra e Frekuencave që është pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York. ZA1E është kodi im i identifikimit. ‘ZA’ është shenja e Shqipërisë dhe secili shtet ka shenjën e tij, ‘1’ është qendra Tirana dhe ‘E’ është shenja që njihem unë në gjithë botën dhe kjo është e pazëvendësueshme’, tregon Agalliu.
– Sa të përhapur janë radioamatorët në Shqipëri dhe Ballkan?
Duke qenë se e ushtron prej shumë vitesh këtë aktivitetet mjaft të veçantë, Agalliu ka njohur shumë kolegë të tij gjithashtu të apasionuar pas radioamatorizmit. Ai tregon se me alfabetin Mors komunikon edhe me shumë miq nga shtete të ndryshme të botës, duke përmendur edhe miq nga Turqia, me të cilët ka shkëmbyer edhe kartolina të shumta.
“Më pëlqen të takohem me miqtë nga Turqia, të cilat i kam njohur përmes komunikimit në radio. Bari Kacani që jeton në Turqi është me origjinë shqiptare dhe me të cilin unë kam komunikuar në radio. Shenja e tij e thirrjes është ‘TA2BK’. Bari Kacani mban lidhjet me shqiptarët në Turqi dhe punon për Informacionin dhe Turizmin në Turqi. Gjithashtu përmes frekuencave jam lidhur edhe me klubin sportiv në Turqi ‘Fenerbahçe’ kur kishte 100 vjetorin e themelimit të klubit. Klubi Fenerbahçe ka grupin e radioamatorëve me të cilët unë jam lidhur përmes frekuencave”, shprehet Agalliu.

Radioamatorizmi është mjaft i përhapur në botë. Edhe në Shqipëri dhe në vendet e Ballkanit ka shumë të apasionuar pas këtij hobi.
“Edhe ne në Shqipëri kemi shumë radioamatorë, por që nuk dimë të organizohemi akoma. Radioamatorizmi është profesion, pasi postat dhe ushtria kanë punuar më përpara me Kodin Mors dhe jo vetëm pasi është dhe fonia, satelitët etj”, shprehet ai.
– “Përmes radioamatorizmit kam promovuar turizmin shqiptar pa pagesë”
Më tej, Agalliu tregon se pavarësisht interesit të ulët të të rinjve për ta mësuar radioamatorizmin, këtë profesion ja ka trashëguar djalit të tij, i cili ka mbaruar shkollën për elektronikë.
“Sa i përket radioamatorizmit është një pasuri kombëtare, sepse në çdo emeregjencë civile që kanë ndodhur në Itali, Greqi dhe në vende të tjera apo edhe tërmetet unë kam biseduar me ato. Në situate të tilla janë radioamatorët që drejtoni. Të gjitha ndihmat që kanë ardhur në Shqipëri janë drejtuar nga radioamatorët që unë i kam kontaktuar. Unë përmes radioamatorizmit kam bërë promovim për turizmin shqiptar pa pagesë dhe e kam bërë për vendin tim. Në Shqipëri fatkeqësia më e madhe është që nuk ja di asnjëri vlerën radioamatorizmit”, thekson Agalliu.
Agalliu po ashtu ka marrë edhe një sërë certifikatash dhe medaljesh në shtete të ndryshme të botës për sportin e radioamatorizmit.
“Medalja e parë që kam marrë është medalja e miqësisë nga Italia në vitin 1991, ku kam qenë në një vizitë i ftuar nga Shoqata radioamatore italiane. Gjëja me e bukur që më kanë dhënë në Itali është vepra ‘Lahuta e Malsisë’, e cila më ra në dorë për herë të parë kopja që ishte botuar në Vatikan. Kam marrë gjithashtu dhe titullin Nderi i Radioamatorizmit Shqiptarë”, shpjegon Agalliu.
Gjatë bisedës me Agalliun, ai zhvilloi edhe një komunikim në radio me anë të alfabetit Mors.
“Sapo bëra një thirrje qarkore për të parë se kush është në frekuencë në këto momente që më dëgjon. Është një orar që nuk ka shumë trafik, pasi më shumë persona në frekuencë ka gjatë mbrëmjes. Ne komunikojmë përmes alfabetit Mors. Alfabeti Mors është një nga gjuhët më të bukura për komunikimin. Është diskutuar disa herë që nuk është më i nevojshëm për zhvillimet që ka marrë teknologjia e elektronikës sot, duke u zëvendësuar përmes internetit dhe aparaturave të reja super moderne dhe me satelitë apo frekuenca të tjera. Unë kam marrë pjesë në disa seminare të ndryshme dhe gjithmonë mbetet për të qenë në efiçencë, sepse alfabeti Mors është një nga ato gjuhët në radio që ka vlerën e vet në çdo lloj kohe, çfarëdolloj zhvillimi të marrë shkenca”, thotë Agalliu.
