Shpërdoroi fondet për fluturimet, hetim penal ndaj Salvinit
Matteo Salvini, udhëheqësi i Partisë Lidhja e Veriut, një forcë politike e krahut të djathtë në Itali, është subjekt i një hetimi penal të Prokurorisë së Romës lidhur me keqpërdorimin e fondeve për fluturime. Hetimi për abuzim të mundshëm me detyrën ka të bëjë me 35 fluturime që zoti Salvini ka zhvilluar me aeroplanë e helikopterë kur ishte ministër i Brendshëm në qeverinë e mëparshme. Qeveria u shpërbë në muajin gusht për shkak të vendimit të zotit Salvini për ta kaluar në opozitë partinë e tij.
Ministrat mund të kryejnë fluturime shtetërore për arsye institucionale, por jo për fushatë dhe kjo është ajo çka prokurorët dyshojnë se ka kryer zoti Salvini duke kombinuar sipas tyre, detyrën e ministrit të Brendshëm me funksionin partiak të tij.
“Kam lexuar se jam nën hetim”, tha zoti Salvini të enjten, duke iu referuar njoftimeve në shtyp. “Të gjitha fluturimet ishin për arsye shtetërore. Kurrë nuk kam kryer fluturime për të shkuar me pushime, këtë e bëjnë të tjerë politikanë”, tha ai.
Më herët gjatë këtij viti gjykata italiane e auditimit, e specializuar në çështje që lidhen me fondet publike, e pati marrë në shqyrtim këtë çështje. Sipas gjykatës fluturimet ishin të paligjshme, por megjithatë ajo e pushoi çështjen me arsyetimin se nuk ishte shkaktuar ndonjë kosto shtesë për taksapaguesit italianë.
Hetimet nuk ka gjasa të ndikojë në mbështetjen që gëzon partia e zotit Salvini, një forcë politike mjaft popullore në vend sipas sondazheve. Prokurorët gjithashtu kanë hapur më parë hetime mbi dyshimet për korrupsion ndërkombëtar pas njoftimeve në shtyp se partia Lidhja e Veriut u përpoq të siguronte miliona euro përmes një marrëveshjeje sekrete për naftë me Rusinë.
Eunews.al