Shkup, miratohet deklaratë e përbashkët në kuadër të Procesit të Berlinit
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor bashkë me vendet tjera pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit kanë miratuar një deklaratë të përbashkët gjatë seancës së përbashkët plenare të mbajtur në Shkup, në kuadër të kryesimit të përbashkët të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë me Procesin e Berlinit.
Me takimin e përfaqësuesve të Ministrive të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit u shënua fillimi i kryesimit të përbashkët të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë me këtë proces për vitin 2020.
Pas përfundimit të seancës, deklaratë të përbashkët për media mbajtën ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov dhe ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zakharieva.
Dimitrov theksoi se kryesimi i përbashkët dëshmon që iniciuesit e tij kanë besim në vendet e rajonit. Ai gjithashtu theksoi se edhe koha e mbajtjes së takimit është shumë e qëlluar, pasi po mbahet në pritje të vendimeve të Këshillit Evropian nëse do të fillojnë bisedimet për anëtarësim në BE.
“Momenti i takimit të sotëm është gjithashtu shumë i rëndësishëm, 10 mars, diku rreth 2 javë para Këshillit Evropian, në kontekst të asaj që pritet, finalizim të asaj që e ka filluar Komisioni me metodologjinë e re dhe raportet e azhuruara. Për atë, natyrisht, sesioni qendror plenar iu kushtua pikërisht kësaj, të ardhmes evropiane të rajonit”, tha Dimitrov.
Ai gjithashtu theksoi se të gjitha vendet pjesëmarrëse kanë miratuar një deklaratë të përbashkët ku ato i rekomandojnë BE-së se çka është e rëndësishme dhe cili është vizioni i tyre.
“Kemi një deklaratë të përbashkët në praninë e të gjithë pjesëmarrësve, por para së gjithash nga 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku më shumë ne nga ky rajon japim porosi deri te pjesa tjetër e Evropës, çka është e rëndësishme për ne, cili është vizioni ynë dhe në njëfarë mënyre riafirmojmë përkushtimin tonë se do të jemi të angazhuar në raport me vlerat kryesore dhe thelbësore të reformave evropiane: Demokracinë, sundimin e së drejtës, lirinë e mediave, marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore”, tha Dimitrov.
– Zaharieva: Të shohim më shumë nga e ardhmja
Ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zakharieva, falënderoi Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut për “takimin e mirë”, duke theksuar se për shkak të koronavirusit kishte anulime në minutën e fundit.
Zakharieva theksoi se për herë të parë që nga ekzistenca e Procesit të Berlinit, ky proces po bashkë-kryesohet nga një vend anëtar i BE-së, Bullgaria, dhe një vend kandidat për në BE, Maqedonia e Veriut.
“Sot derisa diskutonim për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, unë theksova bashkë-kryesimin tonë si një shembull. Edhe pse ka shumë për të punuar në lidhje me ndërlidhshmërinë, të drejtat e njeriut, lirinë e mediave, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, me të vërtetë është një bashkë-kryesim simbolik. Vetëm tre vjet më parë ne nuk mund ta imagjinonim që kjo do të ndodhte sot. Andaj mendoj se duhet të mësojmë të shohim më shumë nga e ardhmja. Sigurisht që historia është e rëndësishme, e kaluara është e rëndësishme, por është e rëndësishme të mësojmë nga gabimet e së kaluarës dhe të jemi më shumë së bashku dhe të theksojmë të ardhmen e përbashkët. Kjo është porosia ime për kolegët nga Ballkani”, tha Zakharieva.
Sipas saj, është shumë e rëndësishme të theksohen projektet që janë të rëndësishme për të ardhmen, duke përmendur se më shumë se një miliardë euro janë siguruar nga Komisioni Evropian dhe vendet e BE-së për Procesin e Berlinit.
“Ne dëshirojmë të jemi më të qartë gjatë presidencës sonë dhe të shpjegojmë saktësisht se çfarë ka arritur Procesi i Berlinit për rajonin tonë. Do të përfundoj me atë se Procesi i Berlinit ndihmon anëtarësimin dhe ai nuk është një zëvendësues dhe Bullgaria gjithmonë e thekson atë. Ai do të ndihmojë në shpejtimin e procesit, nuk do ta zëvendësojë atë. Mesazhi im ishte që ashtu si vendet e Ballkanit Perëndimor po përfundojnë reformat, në atë mënyrë edhe ne duhet t’i përfundojmë, të marrim një vendim për të filluar negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Zaharieva.
Të pyetur nga gazetarët në lidhje me krizën e migrantëve, Dimitrov dhe Zaharieva thanë se Ballkani është përmendur në raportin e Këshillit të Punëve të Brendshme të BE-së.
Dimitrov theksoi se është e qartë se vendet e rajonit duhet të kenë të njëjtën politikë në trajtimin e krizës së migrantëve, duke thënë se është çështje e ndryshme ruajtja e kufirit dhe zgjidhja më afatgjate e thelbit dhe shkaqeve të problemit.
Përpos nikoqirëve Nikolla Dimitrov dhe Ekaterina Zaharieva, në seancë të pranishëm ishin edhe ministrat apo përfaqësuesit e Ministrive të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse të Procesit të Berlinit, si dhe kryeministri i qeverisë teknike i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski.
Gjatë takimit, u paralajmërua edhe axhenda e prioriteteve e presidencës së përbashkët, e cila synon forcimin e integrimit dhe konvergjencës midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në aspektin politik, juridik dhe socio-ekonomik.
Takimi tjetër është në nivel të kryeministrave dhe zhvillohet në gjysmën e dytë të vitit, në kryeqytetin bullgar, Sofje.
Para shënimit të presidencës së përbashkët me Procesin e Berlinit, u organizua forumi treditor Think tank nga instituti për demokraci “Societas Civilis” në bashkëpunim me Këshillin Evropian për Politikën e Jashtme (ECFR).
Eunews.al