SHBA urdhëron largimin nga Ukraina të një pjesë të personelit të ambasadës



Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) autorizoi largimin vullnetar të punonjësve të qeverisë amerikane si edhe urdhëroi largimin e anëtarëve të familjeve të punonjësve të ambasadës amerikane në Kiev, sipas agjencisë ukrainase të lajmeve, UKRINFORM.
”Një deklaratë e rastit është postuar në faqen e internetit të ambasadës amerikane në Ukrainë”, sipas agjencisë.
Sipas deklaratës, largimi i autorizuar u jep këtyre punonjësve mundësinë që të largohen nëse dëshirojnë, por largimi i tyre nuk është urdhër.
“DASH mori vendimin për të autorizuar largimin nga misioni në Ukrainë për shkak të përpjekjeve të vazhdueshme ruse për të destabilizuar vendin dhe për të minuar sigurinë e qytetarëve ukrainas dhe të të tjerëve që vizitojnë ose banojnë në Ukrainë. Ne u konsultuam me qeverinë ukrainase për këtë hap dhe puna po koordinohet edhe me ambasadat aleate dhe partnere në Kiev ndërsa përcaktojnë pozicionin e tyre”, thuhet në shënim.
“Mos udhëtoni për shkak të kërcënimeve në rritje të veprimeve të rëndësishme ushtarake ruse kundër Ukrainës”, thuhet në deklaratën e DASH.
SHBA theksojnë se ambasada në Kiev mbetet e hapur dhe se vendimi i autorizuar apo urdhëruar i nisjes në asnjë mënyrë nuk do të ndikojë në angazhimin për të gjetur një zgjidhje diplomatike.

