×
Friday, October 22, 2021

SHBA-Sali Berisha dhe fundi i miteve të rreme politike

July 31, 2021

Nga Alfred Peza

Thirrja e Ambasadores së SHBA në Tiranë Yuri Kim, drejtuar publikisht PD dhe Lulzim Bashës që Sali Berisha të mos jetë në Parlament në shtator, ka ngjallur reagime të forta. Sa më i fortë e i drejtpërdrejtë mesazhi, aq më shumë entuziazëm ka nga njëra anë dhe aq më shumë pezm e helm nga ana tjetër.

Të gjendur përpara dilemës “shekspiriane”, ose me Sali Berishën ose me SHBA, propogandistët më të zëshëm të opozitës po kundërpërgjigjen të nervozuar. Më ekstremistët nuk kanë dilema për të zgjedhur mes dy alternativave, në një vend që ka jo vetëm zogistët e enveristët por edhe berishistët e vet. Për dritën e mendjes së tyre, jeta mbi këtë truall ka nisur dhe do të mbarojë, vetëm me Sali Berishën.https://ads.gogel.al/www/delivery/afr.php?zoneid=105&target=_blank&cb=INSERT_RANDOM_NUMBER_HERE

Një pjesë tjetër, ajo e militantëve qorra, i zgjedhin të dyja; edhe SHBA edhe Sali Berishën. Ata madje habiten me SHBA, pse harroi pas zgjedhjeve të 25 prillit kur shpallën idhullin e tyre “non grata”, se ai ka qenë pika e vetme e referimit të perëndimit në Shqipëri. Ndaj nuk tërhiqen derisa ti mbushin mendjen Washingtonit që ta rishohi vendimin, sepse me siguri ka ndodhur ose keqkuptim ose një aksident fatal.

Ka të tjerë akoma që e ndjejnë se lideri i tyre historik nuk ka shpëtim këtë radhë, ndaj kanë nisur luftën brenda llojit për ti bërë presion Lulzim Bashës, që ta shndërrojë PD në bunkerin e fundit për të mbrojtur Sali Berishën dhe familjen e tij ose ndryshe e kërcënojnë se do ta nxjerrin atë vetë jashtë.

Ndërsa pjesa më racionale e opozitarëve, duke e kuptuar më mirë seriozitetin e situatës, kanë një qasje paksa më fine. Ata e dinë se shumica e shqiptarëve ose janë indiferentë, ose e shohin Sali Berishën si simbolin e të këqiave të 30 viteve të tranzicionit, ndaj nuk kanë asnjë preokupim për fatin e tij personal. Ndaj po mundohen që ta mbrojnë atë jo si një emër të përveçëm, si individ, si politikan, ish-kryetar apo lider. Por si një mit, si një simbol dhe si pjesë të historisë që nuk duhet prekur.

Për ta Sali Berisha është vetë sistemi demokratik në Shqipëri, pa të cilin ajo nuk do kishte ardhur kurrë.

Për ta Sali Berisha është vetë liria që shndriti pas 50 vjetësh diktature në këto anë.

Për ta Sali Berisha është vetë pluralizmi politik që gëzojmë, pa të cilin, do vijonim të drejtoheshim ende nga PPSH.

Për ta Sali Berisha është liria e mendimit dhe fjalës së lirë, pa të cilin ende do ishim të censuruar e do burgoseshim.

Për ta Sali Berisha është vetë opozita e opozitarizmi në Shqipëri, pa të cilin ajo sot nuk do të ekzistonte.

Për ta Sali Berisha është vetë e djathta shqiptare, pa të cilin ne sot të vijonim të vuanin nën të majtën ideologjike të shek. XX.

Për ta Sali Berisha është Partia Demokratike, ndaj dorëzimi i tij tek “imperializmi amerikan”, do sillte shkrirjen dhe zhdukjen e saj.

Këto dhe plot broçkulla të tjera me të cilat po mundohet të vishet këto ditë figura e një politikani që është futur në listën e zezë të SHBA për “akte korrupsioni që minojnë demokracinë”, dëshmojnë se 30 vjet nuk na kanë shërbyer për tu larguar nga mënyra e të jetuarit përmes mitesh të rreme në Ballkan.

Në një vend që doli nga 500 vitet e pushtimit otoman e po kërkonte që të shndërrohej në një shtet të ri modern dhe funksional, e kuptoj pse u ngjiz dhe jetoi aq gjatë miti i rremë i Mbretit Zog.

Në një shtet që doli i rrënuar nga lufta dhe u zhyt me dhunë në një diktaturë të egër komuniste për të jetuar gjysëm shekulli në izolim, e kuptoj pse u ngjiz dhe jetoi aq gjatë edhe miti i rremë i Enver Hoxhës.

Por të jetosh për tri dekada në liri e në një botë pa kufij, e sot ti falesh mitit të rremë të Sali Berishës, këtë vetëm një propogandë bajate mund ta bëjë.

Duke besuar se po e mbrojnë dhe po i rregullojnë punë, përmes kësaj qasje absurde thjeshtë sa po e motivojnë edhe më shumë SHBA, për ti shkuar sa më parë deri në fund vendimit të saj. Duke i dhënë fund kësisoj, jo vetëm epokës së Sali Berishës, por edhe kulturës së miteve të rreme politike në Shqipëri.

Eunews.al

Comments are closed.