×
Monday, December 9, 2024

SHBA, OKB ndalin fluturimet drejt Haitit

November 13, 2024


Administrata Federale e Aviacionit njoftoi të martën se do t’ia ndalojë kompanive amerikane fluturimet drejt Haitit, për një periudhë 30 ditore, pasi bandat qëlluan me armë një avion të kompanisë Spirit Airlines. Kombet e Bashkuara gjithashtu njoftuan pezullimin e fluturimeve, duke “kufizuar kështu edhe hyrjen në vend të ndihmave humanitare dhe personelit”.

Plumbat goditën avionin ndërsa po ulej në kryeqytetin Port-au-Prince, duke plagosur një punonjës. Ky është një reflektim i dhunës që ka shpërthyer në Haiti, ndërsa bënte betimin kryeministri i ri i vendit dhe pas një procesi të trazuar politik.

Jeta në pjesën më të madhe të kryeqytetit të Haitit ka ngrirë pas valës së dhunës, e cila kulmoi kur bandat qëlluan të hënën aeroplanin e kompanisë Spirit Airlines, duke e detyruar aeroportin të mbyllej. Fotot dhe videot e siguruara nga agjencia e lajmeve Associated Press tregojnë vrima plumbash në brendësi të një aeroplani. Një numër linjash ajrore pezulluan fluturimet për në Haiti deri të enjten, por ishte e paqartë se sa për sa kohë do të zgjasë kjo masë.

As ish-kryeministri i përkohshëm, Garry Conille, as kryeministri i sapo-inauguruar Alix Didier Fils-Aimé nuk komentuan për dhunën.

Por Luis Abinader, i cili si president i vendit fqinj, Republikës Domenikane, ka marrë masa kundër emigracionit nga Haiti, e quajti terrorizëm gjuajtjen ndaj aeroplanit.

“Ky ishte një akt terrorist; vendet që po ndjekin zhvillimet dhe po ndihmojnë Haitin duhet t’i shpallin këto banda të armatosura si grupe terroriste”, tha zoti Abinader në një konferencë shtypi.

Të martën, policia me autoblinda të rënda të vendosura përreth aeroportit kontrolloi kamionët e përdorur për transportin publik që kalonin aty pranë.

Patrullat e policisë pranë aeroportit në Port-au-Prince, Haiti (12 nëntor 2024)
Patrullat e policisë pranë aeroportit në Port-au-Prince, Haiti (12 nëntor 2024)

Shkollat u mbyllën, ashtu si edhe bankat dhe zyrat qeveritare. Rrugët, ku vetëm një ditë më parë bandat dhe policia u angazhuan në luftime të ashpra, qëndronin të zbrazëta.

Zhurmat e të shtënave të forta u dëgjuan nëpër rrugë pasdite – një kujtesë se pavarësisht manovrave politike nga elitat e Haitit dhe një nxitje e fortë nga komuniteti ndërkombëtar për të rivendosur paqen, bandat e vendit mbajnë nën kontroll pjesën më të madhe të këtij vendi të Karaibeve.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se bandat kontrollojnë 85% të kryeqytetit, Port-au-Prince. Një mision i mbështetur nga OKB-ja dhe i udhëhequr nga policia keniane për të luftuar dhunën e bandave përballet me mungesën e fondeve dhe personelit, duke nxitur thirrje për një mision paqeruajtës të OKB-së.




Comments are closed.