SHBA – Kush do të jetë kryetari i ri i bashkisë së Nju Jorkut?
Votuesit e qytetit të Nju Jorkut janë gati të zgjedhin sot një kryetar të ri bashkie, në një zgjedhje të paprecedentë, pasi votimi i parakohshëm përfundoi gjatë fundjavës.
Kandidati kryesor demokrat, anëtari i Asamblesë, Zohran Mamdani do të përballet me ish-guvernatorin Andrew Cuomo, i cili kandidon si i pavarur, si edhe me kandidatin republikan, Curtis Sliwa.
Sondazhet e fundit tregojnë se Mamdani ruan epërsinë e tij, por disa prej tyre thonë se Cuomo po e ngushton hendekun, sipas CBS.
Ndërkohë, AFP bën një portret të shkurtër të këtyre kandidatëve.
Zohran Mamdani, favoriti surprizë
I panjohur deri pak muaj më parë, Zohran Mamdani, fitues i zgjedhjeve paraprake demokrate në qershor, mund të bëhet, në moshën 34 vjeç, një nga kryebashkiakët më të rinj të Nju Jorkut.
Sondazhet e tregojnë atë më shumë se 10 pikë përpara Andrew Cuomo.
Një mysliman progresiv, ai identifikohet si socialist dhe u drejtohet të rinjve dhe votuesve me prejardhje emigrantësh.
Pikat kryesore të platformës së tij përfshijnë kontrollin e qirasë ose edhe ngrirjen e qirasë si dhe kujdesin ditor dhe transportin publik falas.
I lindur në Ugandë në një familje me origjinë indiane, ai shkoi në Nju Jork në moshën 7- vjeçare dhe u bë shtetas amerikan i natyralizuar në vitin 2018.
Nëna e tij është regjisorja, Mira Nair dhe babai i tij është profesor në Universitetin e Kolumbias.
Andrew Cuomo, kandidat i pavarur
Ish-guvernatori Andrew Cuomo, 67 vjeç, po kthehet si kandidat i pavarur katër vjet pas dorëheqjes së tij pas akuzave për ngacmim dhe sulm seksual, të cilat nuk u vërtetuan.
I lindur dhe i rritur në Kuins në një familje italo-amerikane, ai është djali i Mario Cuomo, vetë një ish-guvernator, dhe ishte i martuar me Mary Kerry Kennedy, vajzën e Bobby Kennedy.
Themeluesi i HELP USA, një kompani e specializuar në strehim të përballueshëm, ai shërbeu në administratën e presidentit demokrat Bill Clinton në Departamentin e Strehimit dhe Zhvillimit Urban.
Rekordi i tij si guvernator i shtetit nga viti 2011 deri në vitin 2021 ”u njollos” gjithashtu nga menaxhimi i pandemisë COVID-19 në azilet e pleqve.
Curtis Sliwa, republikan
Me beretën e kuqe të “Engjëjve mbrojtës” (grupi i vigjilentëve që ai themeloi në fund të viteve 1970 për të patrulluar sistemin e metrosë së qytetit të Nju Jorkut) – Curtis Sliwa, 71 vjeç, është një republikan që është kritik ndaj Donald Trump, veçanërisht për imigracionin.
Një vendas nga Bruklini, ky ish-menaxher i ”McDonald’s” në Bronks i mbijetoi një rrëmbimi dhe atentati mafioz në vitin 1992.
Një prezantues radiofonik popullor që nga vitet 1990 dhe një kandidat i mundur për kryetar bashkie në vitin 2021, ai thotë se hodhi poshtë disa oferta profesionale dhe financiare për t’u tërhequr në favor të Andrew Cuomo.
Temat e fushatës së tij përfshijnë sigurinë dhe pastërtinë, koston e jetesës, refuzimin e elitave, çmontimin e burokracisë, kujdesin për shëndetin mendor dhe mirëqenien e kafshëve.







