SHBA-ja dhe aleatët evropianë – gati për sanksione shtesë ndaj Rusisë
Shtetet e Bashkuara dhe Britania do të shpallin sanksione shtesë kundër Rusisë të martën, ndërsa aleatët në Bashkimin Evropian janë duke përgatitur masat e tyre, pas vendimit të presidentit rus, Vladimir Putin, për të njohur rajonet e Donetskut dhe Luhanskut në Ukrainën lindore, si shtete të pavarura.
Një zyrtar i lartë amerikan, ndonëse nuk pranoi të jepte hollësi në një konferencë telefonike me gazetarët të hënën vonë, tha se masat e mëtejshme të SHBA-së do ta “mbajnë Rusinë përgjegjëse për këtë shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar dhe sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Ukrainës, si dhe të vetë angazhimeve ndërkombëtare të Rusisë”.
Për javë të tëra, SHBA-ja dhe aleatët evropianë paralajmëruan pasoja të rënda për Rusinë nëse ajo sulmon Ukrainën, një mundësi që shihet me frikë në rritje ndërsa Rusia grumbulloi 150,000 trupa së bashku me pajisje ushtarake përgjatë kufirit të saj me Ukrainën.
Presidenti amerikan, Joe Biden, shpalli sanksionet fillestare të hënën në përgjigje të njohjes së rajoneve separatiste nga presidenti Putin dhe urdhrit të tij për të vendosur në ato rajone ato që ai i quajti, forcat paqeruajtëse ruse.
Një zyrtar i lartë i administratës së presidentit Biden, u tha gazetarëve se vala e parë e sanksioneve është e lidhur në mënyrë specifike me ato veprime dhe nuk përfaqëson “masat e shpejta dhe të rënda ekonomike që ne kemi përgatitur në bashkërendim me aleatët dhe partnerët, nëse Rusia sulmon më tej Ukrainën”.
Zyrtari nuk tha nëse ende qëndron plani që sekretari i Shtetit Antony Blinken të takohet me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov, më vonë këtë javë. Ai takim kishte për qëllim të përgatiste një samit të mundshëm midis presidentit Biden dhe presidentit Putin, për të cilin Shtetet e Bashkuara thanë se mund të ndodhte nëse Rusia nuk sulmon Ukrainën.
Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha të martën se pala ruse ishte ende “e gatshme për negociata”.
Sekretari Blinken planifikon të presë ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba në Uashington të martën, pasi foli me të në telefon të hënën për të “riafirmuar mbështetjen e palëkundur të SHBA-së për Ukrainën”.
Presidenti Biden foli me udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës të hënën si dhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy. Në të dyja telefonatat, tha Shtëpia e Bardhë, “udhëheqësit dënuan me forcë vendimin e presidentit Putin për të njohur të ashtuquajturat rajone DNR dhe LNR të Ukrainës si “të pavarura”.
BE-ja diskuton sanksionet ndaj Rusisë
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian takohen të martën për të vendosur se çfarë sanksionesh do të vendosin ndaj Rusisë pas vendimit të saj për të njohur dy rajonet separatiste në Ukrainën Lindore.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se në takimin që do të mbahet në Paris “do të merren vendimet politike rreth përgjigjes evropiane”.
“Është e qartë se kjo përgjigje do të jetë në formën e sanksioneve”, tha zoti Borrell. Ai tha se qëllimi nuk është të vendosen e tërë gama e sanksioneve që BE-ja ka përgatitur nëse Rusia sulmon Ukrainën, por do të trajtojë njohjen e Donetskut dhe Luhanskut si shtete të pavarura.
Britania me sanksione të menjëhershme
Kryeministri britanik, Boris Johnson tha të martën se Britania do të vendosë menjëherë sanksione të ashpra ekonomike ndaj Rusisë, pasi presidenti Vladimir Putin urdhëroi vendosjen e trupave në dy rajone të shkëputura në Ukrainën lindore.
“Ne do të vendosim menjëherë një paketë sanksionesh ekonomike,” u tha kryeministri Johnson gazetarëve. “Kjo është, duhet të theksoj, vetëm vala e parë e sanksioneve ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar kundër Rusisë, sepse ne presim dhe kam frikë se do të ketë më shumë sjellje joracionale ruse”.
Kryeministri Johnson tha se do të paraqesë paketën e sanksioneve në parlamentin britanik gjatë së martës.
Sanksionet, tha ai “do të shënjestrojnë jo vetëm rajonet në Donbass, Luhansk dhe Donetsk, por vetë Rusinë – duke synuar interesat ekonomike ruse sa më shumë që të mundemi”.