SHBA i kërkon BM-së dhe aleatëve të ndryshojnë kursin mbi planet për njohjen e shtetit palestinez
Politikanët amerikanë i kanë kërkuar Britanisë së Madhe dhe aleatëve të tjerë të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj shtetësisë palestineze, duke paralajmëruar se një veprim i tillë do të fuqizonte grupin islamist “Hamas” dhe do të kërcënonte sigurinë e Izraelit.
Udhëheqësit republikanë të Kongresit, përfshirë kryetaren Elise Stefanik dhe senatorin Rick Scott, i kanë dërguar një letër Britanisë së Madhe, Francës, Kanadasë, Australisë dhe aleatëve të tjerë kryesorë, duke u bërë thirrje atyre të kundërshtojnë përpjekjet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të legjitimuar shtetin palestinez.
Kryeministri britanik, Keir Starmer pritet të njoftojë njohjen zyrtare të shtetit të Palestinës që të dielën.
“Po ju shkruajmë në lidhje me përpjekjet tuaja për të njohur në mënyrë të njëanshme shtetin palestinez në seancën e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kjo është një politikë e pamatur që minon perspektivat për paqe”, shkruhet në letër.
“Kjo vendos precedentin e rrezikshëm se dhuna, dhe jo diplomacia, është mjeti më i përshtatshëm për grupet terroriste si “Hamasi” për të arritur qëllimet e tyre politike”, sipas letrës.
Starmer njoftoi planet për të njohur shtetin palestinez në korrik, duke thënë se do ta bënte këtë gjatë takimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në shtator në rast se Izraeli nuk do të ndërmerrte “hapa thelbësorë” drejt paqes në Gazë.
Nuk ka pasur armëpushim dhe situata në Gazë është përkeqësuar, me një shpallje të krizës së urisë në Qytetin e Gazës dhe zgjerimin e operacioneve ushtarake izraelite.
Letra u mbështet nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Mike Johnson, i cili e quajti këtë veprim “të çuditshëm” dhe “thellësisht shqetësues”.
“Udhëheqësit ndërkombëtarë do të mblidhen në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, dhe ne do të vëzhgojmë nëse aleatët e ngushtë si Franca, Kanadaja dhe Britania e Madhe do të vazhdojnë me planet për të njohur shtetin palestinez”, tha ai.
“Është e çuditshme dhe thellësisht shqetësuese të shpërblehet Hamasi me shtetësi para se të kthehen pengjet izraelite”, shtoi ai.
Gjatë një vizite në Londër javën e kaluar, presidenti izraelit, Isaac Herzog tha se njohja e Palestinës nuk do të ndihmonte asnjë palestinez, asnjë peng dhe mund të interpretohej negativisht nga Hamasi.
Australia, Franca dhe Kanadaja janë zotuar të njohin shtetin palestinez në OKB.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Starmer në Chequers të enjten, presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se nuk ishte dakord me njohjen e Palestinës.







