×
Thursday, October 6, 2022

SHBA: Fuqizimi i aleancës Rusi-Iran, “një kërcënim i madh”

August 10, 2022

Departamenti amerikan i Shtetit vlerëson se rritja e bashkëpunimit të Rusisë me Iranin duhet të konsiderohet si rrezik i madh për komunitetin ndërkombëtar, pasi Moska lëshoi një satelit iranian në orbitë.

Zyra e shtypit të Departamentit amerikan të Shtetit i bëri të ditur AA-së se SHBA-ja është në dijeni të lëshimit nga Rusia të “një sateliti me aftësi të konsiderueshme spiunazhi në emër të Iranit”.

“Thellimi i aleancës midis Rusisë dhe Iranit është diçka që e gjithë bota duhet ta shikojë dhe ta konsiderojë si një kërcënim të thellë”, thuhet në përgjigjen përmes  email.

Lëshimi i satelitit ndodhi vetëm tre javë pasi presidenti rus Vladimir Putin dhe lideri suprem iranian Ayatollah Ali Khamenei u angazhuan të punojnë së bashku kundër Perëndimit.

Sipas agjencisë ruse hapësinore “Roscosmos”, sateliti me sensorë tepër të ndjeshëm “Khayyam”, i quajtur sipas emrit të poetit dhe filozofit persian të shekullit të 11-të, Omar Khayyam, u lëshua nga një raketë ruse “Soyuz” nga kozmodromi “Baikonur” në Kazakistan.

Kreu i agjencsë hapësinore “Roscosmos”, Juri Borisov e përshëndeti lëshimin e satelitit si një “ngjarje historike e bashkëpunimin dypalësh Rusi-Iran që hap rrugën për zbatimin e projekteve të reja të përbashkëta”.

Ndërkohë, sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, Irani ka marrë të dhënat e para nga sateliti i tij “Khayyam”. Sipas IRNA-s, bëhet fjalë për matje telemetrike të realizuara nga stacionet tokësore të Agjencisë Hapësinore Iraniane.



Comments are closed.