SHBA dhe Samiti i G7-ës përballë sfidave të së ardhmes



Samiti i 47-të i G7-ës, i zh villuar në datat 11-13 qershor në Cornwall të Mbretërisë së Bashkuar, është pa dyshim më i rëndësishmi i viteve të fundit. Jo vetëm për faktin se është i pari i zhvilluar me prezencën fizike të liderëve pas muajve tragjikë të pandemisë, por kryesisht sepse përkon me një periudhë të ndryshimeve të mëdha, të cilat parashikohet të ndodhin në muajt dhe vitet në vazhdim në lidhje me politikën dhe ekonominë në rang global. Duket sikur jemi në fillimin e një epoke të re në historinë botërore dhe fraza e cilësuar shpeshherë si klishe se “Pas pandemisë gjërat nuk do të jenë njësoj si më parë”, duket të mos jetë tërësisht e tillë, por përkundrazi. Duket sikur pasqyron më së miri realitetin e muajve dhe viteve në vazhdim. Të paktën nëse i referohemi realitetit politik dhe ekonomik në rang globaL.
Pandemia dhe më saktësisht faza e tejkalimit të saj, në të cilën duket se ndodhen SHBA dhe vendet e saj aleate perëndimore në tërësi është vetëm njëri faktor që të çon në këtë përfundim. I dyti lidhet me rikthimin më fort të SHBA-ve në pozicionin e tyre tradicional si aktori më thelbësor i zhvillimeve globale. Samiti i G7-ës i zhvilluar në Europë përkon edhe me udhëtimin e parë jashtë SHBA-ve të Presidentit Joe Biden. Udhëtim, i cili përveç Samitit të G7-ës, përfshin pjesëmarrjen në Samitin e NATO-s që do të zhvillohet në Bruksel në datën 14 edhe takimin me Presidentin e Federatës Ruse Vladimir Putin që do të zhvillohet në Gjenevë në datën 16. Në përfundim të këtij udhëtimi do të kemi një pamje më të qartë të atij që do të jetë qëndrimi i SHBA-ve në lidhje me zhvillimet ndërkombëtare (ekonomike, politike dhe sociale) të viteve në vazhdim, por në qofte se bazohemi te qasja që ka treguar deri tani administrata Biden në politikën e brendshme, mund të piketojmë disa kolona kryesore, mbi të cilat do të bazohet ky qëndrim.
E para lidhet me filozofinë progresiste për sa i përket rolit të shtetit në zhvillimet ekonomike. Pra, një rol më aktiv i shtetit nëpërmjet investimeve publike, shpenzimeve qeveritare dhe politikave fiskale në favor të shtresave sociale, të cilat paguan çmimin më të madh jo vetëm gjatë pandemisë, por edhe gjatë viteve që i paraprinë pandemisë. Plani i Shpëtimit Amerikan (American Rescue Plan) i Presidentit Biden është pa dyshim një New Deal ruzveltian i sjellë në kushtet e sotme. Kjo qasje do të shoqërojë pa dyshim politikën e jashtme amerikane gjatë viteve të ardhshme dhe dakordësia në Samitin e G7-ës për të vendosur një taksë globale minimale prej 15% për korporatat, e propozuar nga Presidenti Biden, duket se vërteton këtë gjë.
E dyta, lidhet me përkushtimin tradicional dhe të pandryshuar të SHBA-ve ndaj sistemit të vlerave demokratike, ndaj institucioneve të demokracisë liberale dhe ndaj respektimit të të drejtave të njeriut në tërësi. Ky trinom është (dhe ka qenë historikisht) thelbësor jo vetëm për proceset demokratike brenda SHBAve, por shërben (dhe ka shërbyer) edhe si një busull për drejtimin që politika e jashtme e tyre do të ketë në vitet në vazhdim. Deklaratat e vazhdueshme të Presidentit Biden për faktin që forca e SHBA-ve gjendet pikërisht te vlerat demokratike, përpjekja për të gjetur një konsensus gjatë Samitit të G7-ës në lidhje me një qëndrim të përbashkët për të dënuar shkeljen e të drejtave të njeriut nga ana e vendeve të treta, si dhe dakordësia për të dhuruar 1 miliard doza të vaksinave anti-Covid vendeve në nevojë duket se janë një tregues se politika e jashtme e SHBA-ve tashmë do të drejtohet sërish, më me force, nga një qasje në shërbim të vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut.
E treta, lidhet me ripërkushtimin e SHBAve ndaj angazhimeve të saj ndërkombëtare dhe risjellja e marrëdhënieve të saj me aleatët tradicionalë europianë në nivelet më të larta. Kjo gjë do të jetë me ndikim pozitiv si për bashkëpunimin ndërkombëtar në nivel marrëdhëniesh ndërshtetërore, ashtu edhe në nivelin e organizatave ndërkombëtare në tërësi. Vendimi i menjëhershëm i Presidentit Biden sapo mori detyrën, për të rikthyer SHBA-të në Marrëveshjen e Parisit për klimën, deklaratat e vazhdueshme për rikthimin e SHBA-ve në pozitat e tyre tradicionale në lidhje me aleatët e saj europiane si edhe përpjekjet e vazhdueshme gjatë Samitit të G7 për t’u fokusuar të rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar, për të përballuar krizën aktuale dhe kriza të ardhshme potenciale si kjo e Coronavirusit, duket se janë tregues të qartë të këtij qëndrimi.
Por le të shohim më konkretisht pikat kryesore të deklaratës së përbashkët të publikuar në përmbyllje të Samitit të G7:
Pjesën e parë dhe vendin më të rëndësishëm të deklaratës e zë, ashtu siç ishte e pritshme, çështja e shëndetit. Vendet e G7- ës vendosin si qëllim të fitojnë betejë me pandeminë në vitin 2022. Kjo gjë do të kërkojë që të vaksinohet mbi 60% e popullsisë së botës. Për këtë arsye, vendet e G7-ës angazhohen të koordinojnë politikat dhe të ndërmarrin të gjitha masat e duhura për të ndihmuar vendet e varfra në furnizimin e tyre me vaksina. Do të vazhdohet mbështetja ndaj COVAX-it dhe do të dorëzohen në mënyrë të drejtpërdrejtë të paktën 870 milionë doza gjatë vitit të ardhshëm. Të paktën gjysma e këtyre dozave do të dorëzohen brenda vitit 2021 për vendet që kanë më shumë nevojë. “Për të qëndruar një hap përpara virusit, ne angazhohemi të vazhdojmë investimet tona në kërkim dhe inovacion, duke u siguruar që vaksinat globale të mbesin efektive ndaj varianteve shqetësuese, dhe që testet dhe trajtimet efektive të jenë të disponueshme. Për këtë qëllim, ne do të rrisim mbikëqyrjen globale dhe renditjen gjenomike si dhe shpërndarjen e shpejtë të informacionit e nevojshme për të mundësuar zbulimin e shpejtë për të luftuar virusin dhe variantet e tij. Vendet e G7-ës duhet të bëjnë çdo përpjekje për të arritur, kur është e mundur, një nivel të renditjes gjenomike të paktën 10 për qind të të gjithë mostrave të reja pozitive COVID-19 gjatë fazës pandemike dhe të shpërndajnë informacionin mbi renditjen gjenomike me bazat e të dhënave ekzistuese globale”.
Në vazhdim deklarata e përbashkët fokusohet në rimëkëmbjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës. Vendet e G7-ës vlerësojnë se bashkëpunimi ndërkombëtar është i rëndësishëm dhe nevojiten hapa konkretë në mënyrë që të arrihet një rritje ekonomike e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse duke luftuar jo vetëm problemet imediatë të shkaktuara nga pandemia, por duke vendosur qëllime afatgjata për të përballuar sfidat e përbashkëta. Vendet e G7-ës angazhohen të mbështesin ekonomitë e tyre për aq kohë sa do të jetë e nevojshme. Do të vazhdojnë të investojnë në infrastrukturë cilësore dhe në inovacion më qëllim krijimin e vendeve të reja të punës dhe luftimin e pabarazisë.
Në qendër të axhendës së tyre për rritjen ekonomike qëndron transformimi i gjelbër dhe ai dixhital sepse në këtë mënyrë do të rritet prodhimi dhe do të krijohen vende të reja punë cilësore duke kufizuar emetimet e gazrave në favor të shëndetit të njerëzve dhe të mbrojtjes së ambientit. Në deklaratën përfundimtare, liderët u fokusuan te nevoja për një sistem fiskal të drejtë global dhe iu përmbajtën angazhimit të tyre për të gjetur një konsensus për një taksë globale minimumi 15%. Qëllimi është që ky konsensus të arrihet në Samitin e G20-ës në korrik.
Pjesa e tretë e deklaratës fokusohet në tregtinë e lirë dhe të ndershme. Liderët e G7- ës shprehin angazhimin e tyre për të mbështetur tregtinë e lirë dhe të ndershme si parimet fondamentale e sistemit multilateral. Ky vizion i përbashkët duhet të formalizohet më një Organizatë Ndërkombëtare të Tregtisë të reformuar dhe liderët e G7-ës zotohen të bëjnë gjithçka është e mundur për të siguruar progres në lidhje me modernizimin e organizatës me qëllim promovimin e konkurrencës së lirë dhe arritjen ë prosperitetit për të gjithë.
Në lidhje me ndryshimet klimatike dhe ambientin në deklaratën përfundimtare riafirmohet angazhimi i liderëve të G7-ës për të shpejtuar implementimin e Marrëveshjes së Parisit, duke forcuar politikat kombëtare dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Me këtë qëllim vendet e G7-ës angazhohen të arrijnë zero emetime sa më shpejt që të jetë e mundur brenda vitit 2050. Një pjesë tjetër e rëndësishme e deklaratës përfundimtare fokusohet te barazia gjinore. Sipas deklaratës, barazia gjinore gjendet në themel të një shoqërie të lirë, të hapur dhe të drejtë. Avancimi i barazisë gjinore është në qendër të planeve dhe politikave të vendeve të G7-ës duke u bazuar në tri prioritetet që janë: arsimimi vajzave, forcimi i grave dhe dhënia fund e dhunës kundrejt grave dhe vajzave.
Pjesa e fundit e deklaratës lidhet me përgjegjësinë globale dhe veprimin ndërkombëtar. Vendet e G7-ës angazhohen të promovojnë vlerat e përbashkëta në sistemin ndërkombëtar si dhe të rrisin bashkëpunimin ndërkombëtar për të mbështetur demokracinë, si dhe për të forcuar Mekanizmin e Përgjigjes së Shpejtë (Rapid Response Mechanism) së G7-ës për të përballur rreziqet që i kanosen demokracisë përfshirë dezinformimin, forcimin e lirisë së shtypit dhe mbrojtjen e gazetarëve, mbështetjen e lirisë së besimit, luftimin ndaj racizmit të çdo lloji, adresimin e shkeljes së të drejtave të njeriut, si dhe nevojën për të marrë masa kundër korrupsionit duke përfshirë edhe shpërndarjen e informacionit. Në lidhje me Kinën dhe konkurrencën e ekonomisë globale, vendet e G7-ës do të vazhdojnë të konsultohen për qasje të përbashkët për praktikat, të cilat rrezikojnë funksionimin transparent dhe normal të ekonomisë globale. Në të njëjtën kohë, i bëhet thirrje Kinës për të respektuar të drejtat e njeriut specifikisht në zonën e Xinjing-ut. Në lidhje me Federatën Ruse i bëhet thirrje që të mos ndërhyjë në çështjet e brendshme të vendeve të tjera dhe të përmbushë angazhimet e saj ndërkombëtare.
Samiti i G7-ës duket se vendosi shinat, mbi të cilat pritet të rrugëtojë ekonomia dhe politika ndërkombëtare në vitet e ardhshme. Mbetet për t’u parë se si do të zhvillohen në praktikë angazhimet e marra nga liderët e vendeve të G7-ës, sidoqoftë riafirmimi i rolit të pazëvendësueshëm i SHBA-ve dhe forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar i vendeve më të zhvilluara të globit, si nga ana ekonomike ashtu edhe nga ajo institucionale, shton besim se e ardhmja, sado e vështirë, do të jetë me e lehtë për t’u ndërtuar në mënyrë të përbashkët dhe demokratike.
Eunews.al
