Senatorët çekë: Shqipëria, progres të padiskutueshëm drejt BE



Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla priti delegacionin e Komisionit për Administratën Publike, Zhvillimin Rajonal dhe Mjedisin në Senatin e Republikës Çeke, të kryesuar nga zëvendëspresidenti i Senatit, Jan Horník.
Kryetarja Nikolla vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dhe intensive politike mes dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Republikës Çeke për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019 si edhe për ndihmën në mbështetje të përpjekjeve për shuarjen e zjarreve në vendin tonë në verën e vitit 2021.
“Ne vlerësojmë lart përkrahjen e vendosur të Republikës Çeke për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria e konsideron Çekinë një “avokate” e rrugës sonë drejt Bashkimit Evropian. Vlerësojmë gjithashtu mbështetjen e fuqishme të vendeve të Grupit të Vishegradit për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Nikolla.
Miqësia midis të dy vendeve dhe të dy popujve po konkretizohet në nisma të bashkëpunimit ekonomik e tregtar, turizëm, rendin e sigurinë publike, bashkëpunimin në kuadrin e NATO-s, në fushën e arsimit, kulturës dhe mbështetjen e nismave rajonale.
Zëvendëspresidenti i Senatit, Jan Horník, kryetari i Komisionit për Administratën Publike, Zhvillimin Rajonal dhe Mjedisin, Zbyěn Linhart, dhe anëtarët e delegacionit vlerësuan arritjet e Shqipërisë në zhvillimin ekonomik dhe konsolidimin e institucioneve demokratike dhe rikonfirmuan mbështetjen e Republikës Çeke për çeljen e negociatave me Shqipërinë sa më shpejt.
Zëvendëspresidenti i Senatit, Jan Horník, e ftoi Kryetaren e Kuvendit për një vizitë zyrtare në Senatin e Republikës Çeke.
Eunews.al

