Scholz vlerëson rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik në Greqi



Kancelari i sapoemëruar i Gjermanisë, Olaf Scholz vlerësoi përpjekjet e Greqisë për rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik, gjatë një konference për shtyp të mbajtur në Bruksel të premten, së bashku me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për Greqinë, Scholz tha se, “kemi punuar shumë për të bashkëpunuar me Greqinë vitet e fundit. E njëjta gjë është e vërtetë edhe kur isha ministër i Financave. Njerëzit në Greqi e kanë kuptuar këtë”, nënvizoi ai.
“Greqia tani po ecën në drejtimin e duhur të rimëkëmbjes dhe zhvillimit ekonomik, dhe kjo është diçka që unë e vlerësoj shumë” tha ai.
“Kjo pikëpamje është ndarë edhe nga ministri i ri i Financave në Gjermani, Christian Lindner”, shtoi Scholz.
Ndër të tjera, Scholz dhe von der Leyen diskutuan gjithashtu për pandeminë e koronavirusit dhe nevojën për të ndërtuar një Evropë edhe më të fortë, më të bashkuar kundër krizës shëndetësore.
Eunews.al

