Schallenberg: BE të hapë negociatat me Shqipërinë dhe MV sa më shpejt
Në Ballkanin Perëndimor dhe madje edhe në Moldavi, BE-ja duhet të lëvizë më shpejt në mënyrë që vendet e rajonit t’i bashkohen BE-së sa më shpejt të jetë e mundur, deklaroi ministri i Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg.
”Ne jemi të vonuar dhe duhet të hapim më në fund negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedonia e Veriut. Duhet të vazhdojmë me Bosnje-Hercegovinën dhe të përfundojmë çështjen e heqjes së vizave me Kosovën”, theksoi ai gjatë një takimi me homologun grek, Nikos Dendias.
”Lufta në Ukrainë tregon se BE-ja duhet të ecë përpara për të marrë në gjirin e saj vendet që janë më afër saj dhe ato të rrethuara nga shtetet anëtare të BE-së”, shtoi ai.
Schallenberg dënoi pushtimin rus të Ukrainës dhe shkeljet e së drejtës ndërkombëtare duke theksuar se “emocionalisht e kuptoj 100% qëndrimin e miqve tanë në Kiev. Por, ne duhet të jemi të kujdesshëm për të mos krijuar pritshmëri që nuk do të mund t’i përmbushim më vonë”.
Ministri austriak tha se kjo mund të jetë “një kohë e errët për Evropën”, por BE-ja po aplikon gjeopolitikën shumë më tepër se vitet e fundit dhe gjithashtu po tregon një unitet të madh, diçka që ai e vuri në dukje si një fenomen të rrallë.
I pyetur nëse BE-ja duhet të ndjekë shembullin e SHBA dhe të ndalojë të gjitha importet e energjisë nga Rusia, Schallenberg sqaroi se “ne nuk jemi thjesht një rajon fqinj, por pjesërisht të varur nga prodhimi i energjisë. Ne duhet të jemi realistë”.
Ai tha gjithashtu se një zhvillim i tillë “nuk do të ndryshonte aspak sulmet e tmerrshme ushtarake të Rusisë dhe shkatërrimin e përjetuar nga ukrainasit”.
Eunews.al