×
Wednesday, December 8, 2021

Santos: Shqipëria, gati për hapin tjetër në procesin e integrimit

November 9, 2021

Anëtarja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për Shqipërinë Isabel Santos, deklaroi sot nga Tirana se Shqipëria është gati për hapin tjetër në procesin e integrimit.

Në një konferencë për mediet, pas takimeve që zhvilloi gjatë vizitës në Tiranë, Santos theksoi se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha hapat e duhur për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, duke shtuar se ndihet e kënaqur që pas zgjedhjeve Kuvendi ka filluar punën.

“E kuptoj rëndësinë e Kuvendit, si vendi që përfaqëson vullnetin e shqiptarëve. Jam e kënaqur që Kuvendi ka nisur punën me bashkëpunim mes opozitës dhe mazhorancës. Ky dialog mund të bëhet shumë i rëndësishëm”, nënvizoi Santos.

Sa i përket medieve, Santos tha se “mora konfirmimin se mazhoranca nuk do të vijojë me projektligjin për mediet. Shqipëria të marrë parasysh rekomandimet për ligjin e medias”.

Lidhur me reformimin e sistemit të drejtësisë, Santos u shpreh se “duhet reformimi i sistemit të drejtësisë, të vijojmë me të njëjtat procedura deri në momentin që çdo gjyqtar apo prokuror të ketë kaluar në proces. U gëzova kur dëgjova që Kuvendi ka kërkuar opinionin e Komisionit të Venecias për këtë çështje”.

Santos shtoi se reforma zgjedhore është e rëndësishme për zgjedhjet e tjera.

“Dua të jap një mesazh të rëndësishëm. Në Europë ka një mazhorancë që e kupton progresin që po bën Shqipëria dhe duan që të integrohet. Ka ardhur koha tashmë që Shqipëria të shpërblehet për reformat. Ta mbështesim”, tha Santos.

E pyetur nga gazetarët për iniciativën “Open Balkans”, Santos theksoi se, “‘Ballkani i hapur’ nuk ka lidhje me procesin e integrimit evropian, nuk më takon mua”.

“Është një nismë që kërkon të ketë bashkëpunim më të mirë mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Por e rëndësishme për mua është procesi i integrimit evropian. Jam e fokusuar tek ky proces dhe jam e sigurt që të gjithë janë të fokusuar tek ky proces”, u shpreh ajo.

Eunews.al

Comments are closed.