×
Tuesday, June 9, 2026

Sala në “The Economist”: Aksesi në trajtimin e kancerit mbetet sfida kryesore

June 9, 2026


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, mori pjesë në edicionin e 11-të të Forumit Botëror të Kancerit 2026, të organizuar nga revista prestigjioze “The Economist”, ku liderë politikë, ekspertë të shëndetësisë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare diskutuan mbi sfidat dhe zgjidhjet për garantimin e aksesit të barabartë në kujdesin ndaj kancerit në të gjithë Europën.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Sala theksoi se pabarazitë në trajtimin e kancerit nuk mund të adresohen përmes ndërhyrjeve të izoluara, por kërkojnë një transformim të plotë të sistemeve shëndetësore, duke përfshirë të gjitha hallkat e kujdesit, nga parandalimi dhe depistimi deri te diagnostikimi i hershëm, trajtimi dhe ndjekja pas trajtimit.

Sipas saj, sfida më e madhe me të cilën përballen vendet europiane mbetet aksesi i barabartë në shërbimet onkologjike.

“Aksesi mbetet sfida kryesore në Europë. Mundësitë për mbijetesë nuk duhet të varen nga vendbanimi i pacientit. Diagnostikimi i hershëm, qasja në trajtime inovative dhe forcimi i kapaciteteve të sistemeve shëndetësore janë elementë kyç për reduktimin e pabarazive”, u shpreh ministrja.

Në panelin e forumit, Sala prezantoi reformat që Shqipëria po zbaton në sektorin e onkologjisë, të cilat synojnë përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, rritjen e aksesit për pacientët dhe garantimin e një trajtimi më të barabartë në të gjithë vendin.

Ndër projektet kryesore të prezantuara ishte krijimi i Institutit Kombëtar të Kancerit, i cili do të shërbejë si qendra kombëtare për kujdesin e integruar ndaj pacientëve, kërkimin shkencor dhe edukimin profesional në fushën e onkologjisë.

Po ashtu, ministrja theksoi rëndësinë e decentralizimit të shërbimeve onkologjike përmes forcimit të njësive rajonale, duke synuar që pacientët të kenë akses më të lehtë në trajtime pranë vendbanimit të tyre.

Një tjetër prioritet i reformës është modernizimi i shërbimit kombëtar të radioterapisë, si dhe përmirësimi i kuadrit ligjor për barnat dhe pajisjet mjekësore, në përputhje me standardet dhe legjislacionin e Bashkimit Europian.

Në fokus të veçantë është edhe transformimi digjital i sistemit shëndetësor, i cili pritet të përmirësojë koordinimin e kujdesit, sistemet e referimit dhe përdorimin e të dhënave shëndetësore për trajtime më efikase dhe më të personalizuara.

Ministrja Sala theksoi se matja e suksesit të politikave kundër kancerit nuk duhet të kufizohet vetëm te përparimet shkencore dhe teknologjike, por duhet të reflektohet drejtpërdrejt në përvojën e pacientit.

“Suksesi i politikave të kancerit duhet të matet me aftësinë e sistemeve shëndetësore për të ofruar diagnozë më të shpejtë, kohë më të shkurtra pritjeje dhe kujdes më të koordinuar për pacientët”, deklaroi ajo.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë forum ndërkombëtar konsiderohet një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në luftën kundër kancerit, si dhe për forcimin e bashkëpunimit me partnerët europianë në një nga sfidat më të mëdha të shëndetit publik.




Comments are closed.