×
Wednesday, January 14, 2026

Rusia shpall armëpushim në Mariupol

March 31, 2022


Rusia tha se ka ofruar një armëpushim në qytetin ukrainas të sulmuar të Mariupolit për të lejuar evakuimin e civilëve dhe se i ka dhënë një afat Kievit që të deklarojë vetë ndërprerjen e luftimeve.

”Ushtria ruse po shpall një armëpushim humanitar… që të lejojë civilët të ikin fillimisht në Berdyansk dhe më pas në Zaporizhia”, tha dje gjeneralmajori rus, Mihail Mizincev, i cituar nga agjencia ruse e lajmeve Interfax.

Ukraina duhet të shpallë armëpushimin e saj dhe të informojë me shkrim Rusinë, OKB dhe Kryqin e Kuq Ndërkombëtar që masa të hyjë në fuqi.

”Bisedimet e paqes do të vazhdojnë virtualisht mes dy vendeve të premten”, tha kreu i delegacionit ukrainas, David Arakhamia.

“Po, ka një proces negocimi që do të vazhdojë. Por deri më tani janë vetëm fjalë. Asgjë konkrete”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një video-mesazh.

”Vetëm situata në fushën e betejës tregon se si janë gjërat realisht”, tha ai.

Rusia ra dakord të reduktojë ndjeshëm operacionet e saj luftarake pranë Kievit dhe Chernihiv-it në bisedimet e paqes me Ukrainën të mbajtura në Stamboll të martën, por shumë vëzhgues e shohin atë që Moska ka menduar si tërheqje të trupave si më shumë një rotacion dhe rifurnizim të njësive luftarake.

”Kievi ka vënë re një dislokim të trupave ruse për sulme të reja në rajonin e Donbasit”, tha Zelensky.

“Dhe ne po përgatitemi për këtë”, shtoi ai.

Ai tha gjithashtu se Rusia nuk po tërhiqet vullnetarisht nga zonat përreth kryeqytetit ukrainas Kiev dhe qytetit verior të Chernihiv, por përkundrazi po dëbohet prej andej nga ushtria ukrainase.

”Megjithëse nuk pati përparime në bisedimet e paqes midis Moskës dhe Kievit në Stamboll, ishte pozitive që pala ukrainase kishte paraqitur për herë të parë propozime me shkrim”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Ukraina kishte treguar se ishte gati të hiqte dorë nga anëtarësimi në NATO dhe të merrte një status neutral, nëse i jepeshin garancitë e sigurisë nga vendet e treta.

“Ne kemi kaluar në pragmatizëm. Kjo është gjëja kryesore”, tha këshilltari presidencial  ukrainas, Mykhailo Podolyak.

”SHBA beson se presidenti rus Vladimir Putin po keqinformohet nga këshilltarët e tij se sa keq po funksionon ushtria ruse dhe se si ekonomia ruse po gjymtohet nga sanksionet”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kate Bedingfield.

Eunews.al




Comments are closed.