×
Wednesday, December 8, 2021

Rusia përfitoi ndërsa Perëndimi flinte

November 11, 2021

Nga Ian Kelly

“The Atlantic”

Ky muaj shënon përvjetorin e parë të armëpushimit në luftën midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, i dyti midis dy vendeve mbi rajonin e diskutueshëm të Nagorno-Karabakut, në Kaukazin e Jugut. Lufta e parë përfundoi në vitin 1994, po ashtu me një armëpushim.

Atëherë të dyja palët ranë dakord që Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Rusia të bashkë-drejtonin negociatat për një zgjidhje të qëndrueshme.

Në vitin 2012, më kërkuan që të isha përfaqësues i SHBA-së në atë proces. Edhe pse mandati zyrtar parashtronte parimet bazë për çdo zgjidhje – ndër të tjera edhe faktin se çdo forcë paqeruajtëse do të ishte shumëpalëshe –unë zbulova se kishte edhe disa nënkuptime të pashkruara.

Dhe njëri prej tyre ishte se Moska dhe Uashingtoni kishin rënë dakord që forcat paqeruajtëse të mos përfshinin dy superfuqitë. Për këtë gjë ranë dakord edhe palët ndërluftuese. Unë e zbulova këtë pak përpara një prej takimeve të mia të para negociuese, kur një zyrtar i lartë azerbajxhanas më mori mënjanë dhe më tha se lejimi i trupave ruse në Nagorno-Karabak do të ishte një “vijë e kuqe” edhe për ta, pasi siç më tha “kur vijnë paqeruajtësit rusë, ata nuk largohen më kurrë”.

E megjithatë, armëpushimi i vitit të kaluar u ndërmjetësua vetëm nga Rusia, dhe forcat paqeruajtëse që përfshin në fakt vetëm trupat ruse. Por si ndodhi ky mënjanim i plotë i Uashingtonit dhe Parisit? Një arsye është dëshira e vazhdueshme e Kremlinit për të rikonfirmuar hegjemoninë ruse mbi ato që i sheh si territoret e saj historike, dhe për të minimizuar përfshirjen e Perëndimit në rajon.

Por ka edhe një arsye tjetër:ngurrimi i Shtëpisë së Bardhë dhe Pallatit Elize për t’u angazhuar në procesin e ndërmjetësimit. Përpara shpërthimit të konfliktit të fundit, diplomatët nga SHBA-ja dhe Franca ishin përpjekur për vite të tëra që të përfshinin liderët e tyre dhe të bindnin presidentët e të dyja palëve në konflikt që të bënin paqe.

Por administratat e njëpasnjëshme amerikane dhe franceze kanë refuzuar ta bëjnë këtë. Si presidenti Barack Obama, po ashtu edhe presidenti Donald Trump nuk ishin të gatshëm të angazhoheshin për llojin e diplomacisë që nevojitej për të arritur një marrëveshje.

Me sa duket ata besonin se presidenti amerikan, duhet të merrte pjesë vetëm në ceremoninë përfundimtare të nënshkrimit të marrëveshjes. Megjithatë, i treti nga tre bashkëkryesuesit fillestarë ishte i gatshëm që të përfshihej në negociata. Gjatë dekadës së fundit, Putin ka pritur pothuajse çdo vit në Moskë presidentët e Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Kësisoj,kur shpërtheu lufta në vitin 2020, vetëm Putin ishte i gatshëm që të përdorte peshën e tij diplomatike pas ndalimit të luftimeve. Edhe Turqia iofroi Azerbajxhanit armë të teknologjisë së lartë që ndryshuan raportin e forcave në terren, dhe tani zyrtarët e saj gjenden në një pikë mbikëqyrje në rajon.

Parisi dhe Uashingtoni, që në thelb i kanë deleguar Moskës zgjidhjen e konfliktit, mund të shprehin në fund vetëm lehtësim. Rusia është tani në vendin e “shoferit” si kurrë më parë. Ajo tashmë ka dislokuar trupat e saj ushtarake në terren në të tria vendet e Kaukazit – dy njësi ushtarake me pëlqimin e vendeve pritëse si (Armenia dhe Azerbajxhani) dhe një pa pëlqimin e vendit pritës (Gjeorgjisë).

Po ashtu,Moska po ushtron presion për krijimin e një mekanizmi të ri shumëpalësh për rajonin, të quajtur “3+3”, që do të përfshinte shtetet e Kaukazit plus 3 fuqi jo-liberale (dhe ish-perandorake), Rusinë, Turqinë dhe Iranin.

Azerbajxhani është i gatshëm të marrë pjesë në këtë mekanizëm të ri, i projektuar kryesisht për të krijuar rrugë të reja tregtare veri-jug përmes rajonit. Gjeorgjia, me 20 për qind të territorit të saj nën pushtimin rus, dhe Armenia me mosmarrëveshjet e saj kufitare me Azerbajxhanin, nuk kanë thënë deri më tani se do të jenë pjesë e këtij mekanizmi.

Edhe pse që të dyja kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të shqyrtuar nismat e reja ekonomike për rajonin. Tregtia është bllokuar prej kohësh në rajon nga embargot për shkak të konflikteve në Nagorno-Karabakh dhe Gjeorgji. E pse duhet të shqetësohet për këtë Perëndimi?

Së pari, janë realitetet e fuqisë së ashpër: Azerbajxhani dhe Gjeorgjia kanë qenë përkrahëse të forta të ndërtimit të një korridor jugor për eksportin e energjisë së pellgut të Kaspikut, duke shmangur linjat e tjera kryesore për naftën dhe gazin e Azisë Qendrore, përmes Rusisë dhe Iranit.

Dhënia e më shumë mundësive këtyre vendeve për të pasur më shumë qasje në tregtinë dhe investimet perëndimore, do ta dobësonte fuqinë ekonomike të Moskës dhe Teheranit, dhe rrjedhimisht aftësinë e tyre për të financuar ligësinë jashtë vendit.

Ndërkohë garancitë e sigurisë nevojiten për të penguar aktivitetin e ushtrisë ruse. Në vitin 2011, presidenti i atëhershëm Dmitry Medvedev e pranoi se Rusia e pushtoi Gjeorgjinë në vitin 2008, për të parandaluar këtë vend dhe shtetet e tjera ish-sovjetike që të anëtarësoheshin në NATO.

Por kjo nuk është arsyeja e vetme. Megjithëse të tria vendet e Kaukazit, që të gjitha ish-anëtare të Bashkimit Sovjetik, janë shtete me të drejta të plota, ato nuk janë plotësisht jashtë orbitës së Moskës, ndaj janë ende subjekt i kërcënimeve dhe embargove të vendosura enkas nga Rusia për ta kufizuar sovranitetin e tyre.

SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian e mbështesin dëshirën e këtyre 3 vendeve për pavarësi.

Dy prej tyre, Armenia dhe Gjeorgjia, kanë një orientim perëndimor, pasi kanë lidhur marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në (edhe Gjeorgjia dëshiron të anëtarësohet në BE dhe NATO).

Përpjekjet e Moskës mund ta zhvendosin Kaukazin nga një aks lindje-perëndim, në atë veri-jug. Dhe sapo të krijohen rrugët e reja tregtare, Rusia do të ketë në dispozicion ato lloj levash mbi Kaukazin,të cilat ka treguar vazhdimisht se është e gatshme që t’i përdorë në Ukrainë, Bjellorusi, Moldavi dhe gjetkë.

Kremlini e ka shfrytëzuar herë pas here pozitën e tij dominuese në linjat e gazsjellësve dhe rrugët tokësore për të ndëshkuar të gjitha vendet që guxojnë të riorientohen drejt Perëndimit.

Megjithatë, përveç perspektivave të zbehta të anëtarësimit në NATO dhe BE, Perëndimi nuk ka ofruar shumë alternativa ndaj vendeve të platformës 3+3.

Një grupim nën-rajonal që lidh vendet në Baltik, Adriatik dhe Detin e Zi, e quajtur Nisma e Tre Deteve, përfshin vetëm anëtarët e BE-së. Ukraina dhe Gjeorgjia, qëtë dyja aspirante për t’u anëtarësuar në BE dhe NATO, janë lënë jashtë këtyre komuniteteve të mbyllura gjeopolitike, dhe prandaj janë shenjestra të lehta për Rusinë.

NATO e cila ka 3 anëtarë në brigjet e Detit të Zi, ka filluar që t’i kushtojë më shumë vëmendje sigurisë së Detit të Zi. Por aleanca duhet të bëjë akoma më shumë. Edhe pse e ka përmirësuar ndjeshëm sigurinë e Baltikut duke i kushtuar asete mbrojtëse rajonit, rreth Detit të Zi ekziston një hendek i rëndësishëm sigurie.

Rusia kërcënon rregullisht të drejtat detare dhe ajrore të NATO-s, pothuajse në çdo rast pa u ndëshkuar,dhe pretendon në mënyrë të paligjshme sikur ujërat ndërkombëtare janë ruse, apo ujërat ukrainase të njohura ndërkombëtarisht si të tilla. E megjithatë, këto janë grupime të kufizuara dhe me vizione shumë të ngushta, dhe ofrojnë pak për mbështetjen ekonomike, kulturore apo politike.

Duke dështuar të ofrojë alternativa realiste ndaj mekanizmave ekonomikë dhe të sigurisë ruse në qendër, Perëndimi ka lënë një rajon tjetër në mëshirën e një fuqie grabitqare, dhe ka ndihmuar në krijimin e një zone tjetër destabiliteti. Perëndimi duhet ta përshkallëzojë lojën e tij diplomatike përpara se rajoni të rrëshqasë më tej nën valët e hegjemonisë jo-liberale të Rusisë.

Shënim: Ian Kelly, është profesor në Universitetin Northwestern. Më herët ka qenë ambasador i SHBA-së në Gjeorgji, ambasador i SHBA-së në OSBE, zëdhënës i Departamentit të Shtetit dhe drejtor i Zyrës së Çështjeve Ruse në Uashington.

Eunews.al

Comments are closed.