Rusia largon ambasadën nga Kievi, Ukrania shpall gjendjen e jashtëzakonshme
Rusia ka zhvendosur tashmë gati 100% të trupave të cilat janë vënë në pozicione të gatshme për pushtimin e Ukrainës. Deklarata vjen nga një zyrtar i lartë i ushtrisë amerikane cituar nga agjencia e lajmeve Reuters.
Zyrtari nuk ishte në gjendje të konfirmonte nëse trupa shtesë ishin zhvendosur edhe në zonën e Donbas.
“Ata janë tashmë gati të nisen dhe vetëm po presin urdhrin për të nisur luftën” – tha zyrtari i lartë amerikan për 150 mijë trupat ruse që ndodhen në kufijtë e Ukrainës.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëjnë “aq sa të munden për aq kohë sa të munden” për të monitoruar aktivitetin e trupave ruse nga hapësira ajrore.
Parlamenti i Ukrainës votoi para pak çastesh miratimin e gjendjes së jashtëzakonshme. Dekreti nis më 24 shkurt dhe do të zgjasë 30 ditë.
Rusia ndërkohë ka nisur evakuimin e ambasadës së saj në kryeqytetin ukrainas, Kiev. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Tass, Moska po largon të gjithë trupën e saj diplomatike në Ukrainë pas shpalljes së një plani për evakuim.
Prej pasdites së të mërkurës flamuri rus nuk valëvitet më në ambasadën e Kievit. Policia ukrainase ka rrethuar ndërtesën.