×
Friday, March 29, 2024

Rusi, Kinë, Iran: Bashkim i autokracive?

September 18, 2022


Nga Kersten Knipp DW

Takimi i Organizatës së Shangait për Bashkëpunimin, SCO në Samarkand tregon sidomos një gjë: anëtarët e tij thonë se e shohin veten si partnerë, por në radhë të parë ndjekin interesat e tyre.

Nuk duhet të ketë dyshim: Kina dhe Rusia janë shtete mike dhe do të mbeten të tilla. Një “mik të vjetër” e vlerësoi presidenti Xi Jinping gjatë takimit të Organizatës së Shangait për Bashkëpunimin, SCO presidentin rus, Putin. Ky iu përgjigj, se ai shpreson për impuls të ri në partneritetin kinezo-rus. Por se si do të jetësohet miqësia mes dy fuqive të mëdha, për këtë nuk dolën shumë të dhëna konkrete nga takimi në Samarkand, Uzbekistan. Putin lëvdoi “partneritetin strategjik, gjithëpërfshirës” me Kinën, bëri fjalë për një “botë multipolare” të re, dhe dënoi “përpjekjet për një botë monopolare”. Për këtë përgjegjës është SHBA, sipas presidentit rus. Putin dënoi “provokimet” e SHBA në Rrugën e Tajvanit dhe theksoi, se Rusia mbështet parimin “një Kinë”.

Por Putin nuk mund të shpresonte për një pohim të pranueshëm për të në lidhje me luftën e Ukrainës. Kina është e gatshme të punojë me Rusinë për të demonstruar përgjegjësinë e fuqive të madhe për stabilitet dhe energji pozitive në botë të kaosit, deklaroi Jinping. Ai nuk e përmendi sulmin rus kundër Ukrainës. As në një pozicionim zyrtar kjo nuk u përmend.

“Neutralitet prorus”

Deklaratat e presidentit kinez janë shprehje e linjës së deritanishme kineze në politikën e jashtme, thotë drejtuesi i Zyrës së Pekinit të Fondacionit, Konrad Adenauar në bisedë me DW, Johan Fuhrmann. Vërtet të dy vendet në kuadër të Lojërave Olimpike në një deklaratë u shprehën kundër sundimit të perëndimit, por çfarë pason pas saj: “Pyetja që shtrohet është natyrisht, a çon një deklaratë e tillë në një aleancë apo partneritet?” Sipas Fuhrmann, “që Kina nuk synon një aleancë duket në atë që Pekini nuk përpiqet t’i mënjanojë sanksionet e perëndimit. Në të njëjtën kohë, Kina i zuri vendin Gjermanisë si importuesi më i madh i gazit rus. Kjo është problematike nga këndvështrimi perëndimor.” Për politikën që vumë re në Samarkand është futur tani nocioni i “neutralitetit prorus”, thotë Fuhrmann.

Partnerë në një rajon të vështirë

Pekini ka interes të zgjerojë rrjetin e marrëdhënieve tek shtetet aziatiko-qendrore, thotë Johan Fuhrmann. “Në të njëjtën kohë duhet thënë, se bëhet fjalë për një rajon shumë konfliktuoz, vendet e të cilit nuk janë unison të bashkuara pas Kinës dhe Rusisë. Aty ka hezitim të madh.” Vetëm Irani kërkon një marrëdhënie të ngushtë me Rusinë. Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi tha në Samarkand, se vendi i tij do të neutralizojë një pjesë të madhe të sanksioneve me Rusinë përmes bashkëpunimit. “Bashkëpunimet mund të zgjerohen në sferën politike, komerciale, ekonomike dhe në teknologjinë hapësinore.” Si hap për këtë Teherani shikon anëtarësimin në SCO.

Shtetet e tjera aziatiko-qendrore të SCO (Kazakistani, Kirgistani, Tadxhikistani, Uzbekistani) ndjekin një poitikë tjetër, thotë politologja, Andrea Schmitz nga Fondacioni për Shkencën dhe Politikën. Për të nuk bëhet fjalë, nëse këto vende do duhet të lidhen më shumë me Kinën apo me Rusinë, sepse që sot ato kanë lidhje të ngushta. Kina është ndërkohë kredidhënësja më e madhe e këtyre shteteve. Sipas Schmitz bëhet fjalë për asimetrinë e bashkëpunimit, që pjesërisht shkon deri në varësi. “Kjo natyrisht nuk është në interes të vendeve aziatiko-qendrore.” Prandaj synimi nuk është të ndërrohen varësitë me një varësi tjetër. Vendet aziatiko-qendrore përpiqen të diversifikojnë marrëdhëniet e jashtme dhe ato ekonomike për të mbajtur marrëdhënie pragmatike e të shumëanshme me shumë partnerë. “Qëllimi i tyre nuk është të dorëzohen nën strehën e një aktori hegjemonial.” I këtij mendimi është edhe eksperti, Johan Fuhrmann, që thekson që këto vende përpiqen të jenë sa më neutrale. “Por përmes luftës në Ukrainë po rritet presioni për t’u pozicionuar.”



Comments are closed.