×
Wednesday, September 11, 2024

Ruçi pret Konjufcën: Kosova të ruajë avantazhin në negociatat ndaj Serbisë

June 7, 2021


Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi priti sot Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i cili ndodhet në Shqipëri për vizitë zyrtare.

Pas takimit homologët zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp.

“Ne si Shqipëri e vlerësojmë shumë vizitën e fundit të Palmer dhe Lajçak në Prishtinë dhe në Beograd si edhe kontributin e tyre për dialogun Kosovë- Serbi. Sigurisht që vlerësuam edhe dakordësimin për takimin e parë të parashikuar që do të mbahet në qershor të këtij viti midis kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç, në koordinim me partnerët tanë strategjik”, tha Ruçi.

“Ndajmë të njëjtin mendim që rezultati përfundimtar duhet të jetë një marrëveshje e detyrueshme ligjore që mundëson njohjen e ndërsjellë të dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në BE si dhe trajtimin e drejtë të minoriteteve në Kosovë, konform Kushtetutës së Kosovës”, tha ai

Ruçi u shpreh se, “për mua është inkurajuese mbështetja e plotë nga administrata e re amerikane dhe personalisht nga presidenti Biden, i cili tha se arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, e fokusuar kjo në njohjen e ndërsjellë. Gjithashtu edhe përfshirja dhe angazhimi i SHBA për arritjen e një marrëveshje të drejtë dhe të qëndrueshme dhe që hap perspektivën europiane të Kosovës, po edhe perspektivën e integrimit në BE qoftë të Kosovës, qoftë edhe të Serbisë”.

“Për ne është shumë premtues fakti që si SHBA edhe BE nuk kanë dallim qëndrimesh sa i përket dialogut Kosovë – Serbi. Këtë e dëshmoi edhe vizita e përbashkët e Palmer dhe Lajçak në Kosovë në fund të majit të këtij viti”, tha Ruçi.

“Ne mendojmë se është e rëndësishme që Kosova të ruajë avantazhin e saj ndaj Serbisë në negociatat me të. Kosova i ka të gjitha mundësitë që të jetë një partner më i besueshëm sesa Serbia, në raport me partnerët tanë strategjik siç janë SHBA dhe BE”, theksoi Ruçi.

“Të gjithë ne duhet të kuptojmë se me SHBA dhe BE, gjithçka është e mundur për Kosovën. Pa SHBA dhe BE, gjithçka është më e vështirë dhe e rrezikshme për Kosovën. Mendojmë se vizioni i SHBA dhe BE, është e vetmja perspektivë realiste dhe e dobishme për Kosovën dhe Serbinë në rajon”, nënvizoi Ruçi.

“Shqipëria vlerëson shumë qëndrimin dinjitoz të ish-drejtuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të UÇK-së si dhe gatishmërinë e tyre për t’i dalë përballë drejtësisë dhe zbardhur të vërtetën e luftës së madhe për shpëtimin e popullit të saj nga krimet dhe gjithë gjenocidi serb”, tha Ruçi.

“Vlerësojmë gjithashtu qëndrimin e qeverisë së Kosovës, të Kuvendit, të Presidentes, të forcave kryesore politike dhe të liderëve të saj për maturinë, për qetësinë, për unitetin dhe bashkimin e nevojës për konsultime për të pasur një qëndrim shumë më të unifikuar për dialogun me Serbinë. Pasi për mendimin tonë si Shqipëri, është Serbia ajo që ka kryer gjenocid, është Serbia ajo që ka kryer krime kundër njerëzimit, që ka kryer krime lufte, që ka fshehur kriminelë në kërkim për dekada të tëra dhe që nuk ka bashkëpunuar me gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë në Hagë dhe sot përpiqet të glorifikojë kriminelët e vetë që i ka mbrojtur dhe i ka fshehur”, tha ai.

“Ne mendojmë se koha punon për Kosovën sepse Kosova është në anën e duhur dhe të drejtë të historisë dhe ne nuk do të reshtim së punuari dhe së luftuari për të”, theksoi Ruçi.

Ndërsa kreu i Kuvendit të Kosovës, Konjufca në fjalën e tij tha se, “ne kemi interesa të përbashkëta dhe të njëjta meqenëse jemi një komb. Pra populli shqiptar i Kosovës dhe populli shqiptar i Shqipërisë janë një komb dhe të tillë unë mendoj se duhet ta kemi edhe politikën dhe artikulimin e interesave tona të përbashkëta. Pra, meqenëse qëllimet i kemi të njëjta, në po këtë masë edhe sfidat i kemi të përbashkëta”.

Konjufca falënderoi “Republikën e Shqipërisë dhe institucionet e saj që dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në përballje me pandeminë COVID-19, duke ofruar vaksinimin edhe për stafin shëndetësor të Republikës së Kosovës, edhe për ndihma të tjera të jashtëzakonshme të republikës së Shqipërisë në këtë aspekt, që vendi ynë ta përballonte sa më lehtë luftën me këtë pandemi e cila ka pllakosur të gjithë globin”.

Konjufca u shpreh se në takimin me Ruçin, “hapëm disa tema të rëndësishme duke filluar për një nevojë të thellimit të bashkëpunimit në disa fusha, si në atë të ekonomisë, e po ashtu të bashkëpunimit të institucioneve tona në fusha të tjera”.

“Ndonëse deri tani, nëse e shihni korpusin e përgjithshëm të memorandumeve dhe marrëveshjeve që Republika e Kosovës ka nënshkruar me Republikën e Shqipërisë, arrin diku tek 140 marrëveshje dhe memorandume të nënshkruara, prapë së prapë hapësira është shumë më e madhe për thellimin e bashkëpunimit. Meqenëse ne deri tani e kemi një bashkëpunim vetëm të një niveli të fqinjëve të mirë, por unë mendoj se bashkëpunimi duhet të ngrihet në një nivel tjetër dhe që është bashkëpunimi mes dy vendeve, të cilat konstituojnë të njëjtin komb, pra një komb të vetëm”, theksoi Konjufca.

Ai u shpreh se, “trajtuam edhe sfidat që presin vendin tonë. Dy janë shumë të rëndësishme. Ne do të përballemi me një dialog të vështirë me Republikën e Serbisë. Meqenëse faktorët ndërkombëtarë, të cilët e udhëheqin dhe e kanë organizuar këtë dialog mes Kosovës dhe Serbisë, e kanë definuar atë si faza përfundimtare, me të cilin do të duhej të përmbyllej ky dialog, e që do të duhej të merrte formën e një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Na duhet një koordinim shumë i thellë dhe i ngushtë me Republikën e Shqipërisë, që Kosova të mos dëmtohet nga një marrëveshje e tillë. Dhe për Republikën e Kosovës dëm, ashtu siç e kemi formuluar ne dhe institucionet tona, do të ishte krijimi i çfarëdo entiteti territorial serb brenda Republikës së Kosovës, e cila do të kontrollohej nga Beogradi. Kjo nuk bën asesi të ndodhë. Dhe kjo është beteja jonë e përbashkët. Me këtë rast ne na duhet një koordinim dhe një bashkëpunim i ngushtë me Republikën e Shqipërisë”, theksoi Konjufca.

Po ashtu, shtoi ai, “ne po përballemi me një proces të vështirë gjyqësor në Gjykatën Speciale, ku disa prej krerëve më të rëndësishëm të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së po gjykohen në Hagë. Ne edhe në këtë dimension duhet të bashkërendojmë veprimet tona me shtetin shqiptar, me Republikën e Shqipërisë, që ta kalojmë me dëme sa më të vogla edhe këtë sfidë, meqenëse lufta e UÇK-së, nuk ka qenë vetëm e Kosovës. Lufta jonë e shenjtë, e drejtë dhe e pastër e UÇK-së, ka qenë e gjithë kombit shqiptar, dhe prandaj si e tillë duhet të trajtohet dhe duhet të mbrohet”.

Eunews.al



Comments are closed.