×
Wednesday, July 1, 2020

Ruçi letër Schäuble: Presidenca Gjermane, një Europë më e drejtë dhe solidare

July 1, 2020

 Kryetari i Kuvendit,  Gramoz Ruçi, i ka dërguar sot një letër urimi Presidentit të Bundestagut,  Wolfgang Schäuble, me rastin e marrjes nga Gjermania të Presidencës së BE-së.

“Me rastin e marrjes nga Gjermania të Presidencës së Bashkimit Europian, kam kënaqësinë t’ju uroj një Presidencë të suksesshme në përballimin e sfidave që Bashkimi Europian, Europa dhe bota mbarë po përballojnë aktualisht”, u shpreh ai.

“Bashkimi Europian po përballet me një recesion të thellë. Por Shqipëria ka besim të plotë se plani i Gjermanisë për rimëkëmbjen ekonomike të vendit dhe të Europës, për të përballuar dhe kapërcyer pasojat e pandemisë së koronavirusit, do të jetë një mbështetje e madhe për të gjithë kontinentin, përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Ruçi.

“Ne kemi gjithashtu besim se Presidenca Gjermane e Bashkimit Europian, përveçse do të nisë rimëkëmbjen ekonomike, sociale dhe të mirëqenies, do të kontribuojë edhe në prioritetet e natyrshme të Bashkimit Europian për një Europë më të fortë dhe innovative; një Europë më të drejtë dhe më solidare, një Europë me ekonomi e mirëqenie të qëndrueshme; një Europë më të sigurt dhe të vlerave të përbashkëta; një Europë më të fortë në një botë të trazuar; një Europë konkurruese, me teknologji e mobilitet të lartë, që krijon vende pune, mbron mjedisin dhe nxit përdorimin e energjisë së gjelbër; një Europë që e konsideron Ballkanin Perëndimor pjesë integrale të saj”, shtoi Ruçi.

“Shqipëria i është mirënjohëse Gjermanisë, Bundestagut dhe juve personalisht për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin shumë të madh në mbështetjen e integrimit europian të Shqipërisë. Vendimi i Këshillit Europian në 25 mars të këtij viti për çeljen e negociatave me Shqipërinë është meritë e rezultat edhe i mbështetjes së fuqishme të Kancelares Merkel, Bundestagut dhe Tuajës. Kuvendi dhe Qeveria e Shqipërisë po punojnë me përgjegjësi të lartë për të zbatuar në mënyrë rigoroze rekomandimet e Këshillit Europian dhe Bundestagut”, tha Ruçi.

“Shpreh bindjen se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi shumë i suksesshëm midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Bundestagut Gjerman do të zgjerohet e fuqizohet më tej dhe përfitoj nga ky rast për të përsëritur ftesën time për një vizitë zyrtare të Shkëlqesisë Suaj në Shqipëri, në një kohë sa më të afërt dhe në përputhje me agjendën tuaj”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në letrën drejtuar Presidentit të Bundestagut, Wolfgang Schäuble, me rastin e marrjes nga Gjermania të Presidencës së BE-së.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për