Ruçi: Keqardhje që shpejtësia e integrimit po ngadalësohet për shkaqe që nuk kanë lidhje me ne



Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi mori pjesë sot në Samitin e Dytë të Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili organizohet nga Parlamenti Europian në Bruksel.
“Ne vijmë në samitin e dytë, rreth një vit e gjysëm pas samitit të parë. Gjatë kësaj kohe, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, merituan dhe morën vendimin e Këshillit Europian për çeljen e negociatave. Por për arsye që nuk varen prej nesh, nuk kemi marrë ende datën e mbajtjes së Tryezës së së Parë Ndërqeveritare”, tha Ruçi.
“Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, dëshiroj të falenderoj Presidencën Kroate, Gjermane dhe Portugeze të BE-së, të cilat e mbajtën përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në krye të prioriteteve të tyre. Por nuk mund të mos shpreh keqardhjen që shpejtësia e integrimit po ngadalësohet për shkaqe që nuk kanë lidhje me ne, por me zgjimin e pasioneve apo inercive të tjera të së kaluarës në Ballkan”, theksoi Ruçi.
“Kuvendi, Qeveria dhe institucionet shqiptare kanë zbatuar me përpikmëri të gjitha detyrat që parashikohen në rekomandimet e Komisionit dhe Këshillit Europian, lidhur me Reformën në administratën publike, Reformën në drejtësi, Luftën kundër korrupsionit, Luftën kundër krimit të organizuar dhe rritjen e shkallës së zbatimit të të Drejtave të njeriut”, tha Ruçi.
“Ne kryem në kohë reformën zgjedhore, me konsensusin e opozitës parlamentare dhe përfshirjen e opozitës joparlamentare. Kjo reformë i parapriu zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, të cilat u zhvilluan të qeta dhe me standarde të larta europiane. Zgjedhjet janë vlerësuar mjaft pozitivisht nga BE, Shtetet e Bashkuara dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, e cila në këto zgjedhje kishte vëzhguesit e saj”, shtoi Ruçi.
“Kuvendi i Shqipërisë mbështet, ndjek dhe ka plotësuar të gjitha detyrimet e veta për avancimin e reformës në drejtësi, zbatimit të procesit të vettingut dhe ndërtimit të organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Vendosmëria e Kuvendit ka detyruar edhe institucionet e tjera, sidomos ato të sistemit të drejtësisë, të shpejtojnë ritmet e reformës”, nënvizoi Ruçi.
“Përveç kësaj, Kuvendi ka realizuar edhe detyrimet e drejtpërdrejta të procesit të integrimit. Gjatë legjislaturave të fundit, por në mënyrë të veçantë gjatë kësaj legjislature, e cila nisi në shtator 2017 dhe përfundon në shtator 2021, Kuvendi i Shqipërisë ka forcuar më tej rolin e tij në procesin e integrimit europian, në koherencë me praktikat më të mira të parlamenteve europiane”, tha Ruçi.
“Gjatë kësaj legjislature, Kuvendi i Shqipërisë shqyrtoi dhe miratoi 45 ligje me përafrim ose rreth 27 përqind të 167 akteve ligjore me përafrim, të miratuara nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit MSA-së, në prill 2009. Gjatë vitit 2020, Kuvendi miratoi për herë të parë Planin e Zhvillimit Strategjik, i cili përcakton prioritetet e zhvillimit të Kuvendit për periudhën 2020-2025, në krye të të cilave qëndron forcimi i rolit të Kuvendit në procesin e integrimit europian”, u shpreh Ruçi.
“Në 2019 Kuvendi i Shqipërisë përfshiu në Rregulloren e tij detyrime shtesë lidhur me përafrimin e legjislacionit dhe kontrollin parlamentar, që burojnë nga standardet e integrimit europian, duke zbatuar në këtë mënyrë edhe një nga rekomandimet e dhëna për Kuvendin në Raportet e KE-së për Shqipërinë për vitet 2016, 2018 dhe 2019”, tha Kreu i Kuvendit.
“Manuali “Mbi sistemin e kontrollit të përputhshmërisë së legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së, në nivel parlamentar”, i miratuar më 2018, lehtëson procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së, nëpërmjet udhëzimeve e rekomandimeve të detajuara për deputetët dhe shërbimet e Kuvendit në kryerjen e detyrave të tyre lidhur me procesin e përafrimit”, theksoi Ruçi.
“Gjatë kësaj legjislature, roli kontrollues i Kuvendit në çështjet e integrimit europian është forcuar më tej, përmes përdorimit më të shpeshtë dhe më cilësor të instrumenteve të kontrollit parlamentar. Komisioni për Integrimin Europian dhe Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian kanë luajtur një rol kyç për monitorimin e reformave të kërkuara dhe plotësimin e rekomandimeve në kuadër të procesit të integrimit europian të Shqipërisë’, tha Ruçi.
Gjatë kësaj legjislature, shtoi Ruçi “Kuvendi ka miratuar 5 rezoluta në mbështetje të procesit të integrimit europian të Shqipërisë si dhe të hapjes së negociatave. Kuvendi ka fuqizuar bashkëpunimin me shoqërinë civile, akademinë, komunitetet e biznesit si dhe grupet e tjera të interesit lidhur me procesin e integrimit europian dhe ka nxitur edhe rritjen e kontributit të tyre në arritjen e standardeve të integrimit”.
“Pas publikimit të Raporteve të Komisionit Europian për Shqipërinë, Kuvendi ka hartuar e miratuar çdo vit Planin e tij të Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të KE-së për Shqipërinë, të cilat lidhen me: Forcimin e funksionit ligjvënës; Fuqizimin e rolit mbikëqyrës; Përmirësimin e etikës parlamentare; Forcimin e transparencës; dhe Forcimin e kapaciteteve administrative të Kuvendit”, tha Ruçi.
“Unë, ashtu si edhe kolegët kryeparlamentarë në këtë sallë, e kemi të qartë se vendet tona nuk kanë arritur përsosmërinë. Por arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit janë të dukshme dhe dëshiroj të përsëris edhe njëherë që tashmë përformanca jonë e meriton vendim-marrjen pozitive për mbajtjen e Tryezës Ndërqeveritare sa më shpejt. Nuk ka më kuptim që vendet tona të paguajnë kosto që burojnë nga mëritë e vjetra të rajonit”, përfundoi Ruçi.
Samiti diskuton mbi përshpejtimin e ritmeve të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE si edhe forcimin e bashkëpunimit parlamentar midis vendeve të rajonit. Samiti do të drejtohet nga Presidenti i Parlamentit Europian, David Maria Sassoli.
Në Samit marrin pjesë edhe Kryetari i Komisionit për Çështjet e Jashtme, David Mcallister, Kryetari i Parlamentit të Portugalisë, Presidenca e radhës e BE-së, Eduardo Ferro Rodrigues, si edhe Kryetari i Parlamentit të Sllovenisë, Presidenca e ardhshme e BE-së, Igor Zorčič.
Eunews.al
