Rubik, Rama: Negociata me kompani prestigjioze armësh, prodhojmë edhe dronë inteligjentë

18 Apr 2025 13:56
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim në ish-Uzinën e përpunimit të bakrit në Rubik, e cila do të kthehet në qendër të prodhimeve ushtarake për Forcat tona të Armatosura si edhe për eksportin.

Gjatë fjalës së tij Rama foli për investimet e aseteve të ushtrisë, ku tha se disa investime duhet të mbeten në funksion të sektorit të mbrojtjes, në raste kur i duhet ushtrisë dhe në rastet kur nuk i duhen, do të vihen në funksion të turizmit dhe zhvillimeve të tjera.

“Të investojmë asetet e ushtrisë të cilat janë keqpërdorur në mënyrë skandaloze prej shumë vitesh – dhe këtu kam parasysh pronat – dhe investimi në pronat e ushtrisë të bëhet në rastet kur pronat i duhen ushtrisë, pikërisht për të tilla investime të mbeten në funksion të sektorit të mbrojtjes. Në rastet kur ushtrisë nuk i duhen drejtpërdrejt, përsëri të investohen me pjesëmarrjen e Ministrisë së Brendshme dhe të vihen në funksion të turizmit dhe zhvillimeve të tjera”, tha Rama.

Reklamë Ola

Rama shtoi se “duke investuar të ardhurat tona në këtë program ne fuqizojmë pikërisht ndërmarrjen publike, shoqërinë publike të prodhimit dhe shitjes së mjeteve ushtarake”.

Sipas Ramës “kjo do të na sjellë jo vetëm të ardhura, por edhe rritje të kapaciteteve në këtë vend, do të krijojmë mundësi për inxhinierë, specialistë të lartë që duan të kthehen në Shqipëri, të mund të kthehen në Shqipëri për të punuar në këtë sektor”.

Reklamë InterMedika

Rama tha po ashtu se “do të krijojmë mundësi për shumë nga ata që janë të investuar në sektorin e teknologjisë, pasi një nga elementët që do të prodhojmë në bazë të këtij programi janë edhe dronët inteligjentë, që ju e dini shumë mirë se janë fjala e fundit e shkencës dhe risia më e madhe në sektorin e mbrojtjes”.

Rama tha se po negociohet me aleatët dhe kompani prestigjioze në fushën e mbrojtjes, që këto investime të nisin konkretisht.

“Këto qendra të industrisë ushtarake do të jenë të ndara në disa pika të terrorit sipas kapaciteteve dhe profileve të tyre, do të profilizohen në prodhime të llojeve të ndryshme. Për të gjitha këto ne jemi duke bashkëpunuar dhe negociuar me aleatë të mëdhenj të Shqipërisë, me kompanitë nga më të mëdhatë nga më prestigjiozet në fushën e mbrojtjes, kemi ndërtuar rrugët e duhura për të bërë këto marrëveshje dhe së shpejti ky program do të nisë konkretisht mbas firmosjes së kontratës, këtu në qendrën e industrisë ushtarake në Rubik”, tha Rama.

Pjesë e këtyre investimeve, bëri me dije Rama, “janë edhe investimet për automjetet ushtarake”.

“Ne kemi një kompani shumë interesante në Shqipëri që drejtohet nga një vajzë dhe drejtohet nga vajzat, që ka prodhuar një makinë të quajtur “Shota”. Ministria e Mbrojtjes është duke punuar me atë kompani dhe një kompani të madhe ndërkombëtare për të krijuar një partneritet dhe për të krijuar këtu në Shqipëri makina ushtarake që do t’i vlejnë FA dhe do të eksportohen jashtë, që do të thotë, do të krijojnë një bazë eksportesh që do të sjellë të ardhura dhe vlerë të shtuar për ushtrinë tonë nëpërmjet ndërmarrjes dhe agjencisë së industrisë së mbrojtjes por edhe për ekonominë tonë kombëtare”, tha Rama.