×
Sunday, September 19, 2021

Rriten shkëmbimet tregtare me Austrinë

August 11, 2021

Shqipëria rriti ndjeshëm eksportet drejt Austrisë gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Referuar raportit mbi tregtinë e jashtme të publikuar së fundmi nga INSTAT-i, eksportet shqiptare arritën 1.1 miliard lekë gjatë periudhës janar-qershor, nga 767 milionë lekë që ishin në gjysmën e parë të 2020-ës. Ndërkohë rritje shënuan edhe importet nga Austria. Sipas INSTAT-it importet llogariten 3.1 miliardë lekë për periudhën, nga 2.3 miliardë lekë që ishin përgjatë 6-mujorit të parë të 2020-ës.

Marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Austrisë janë intensifikuar dukshëm gjatë viteve të fundit. Veçanërisht sistemi bankar dhe ai i sigurimeve ( rreth 70% të aksioneve në treg) dominohen aktualisht nga biznese austriake. Me vënien në funksion të hidrocentralit ASHTA në veri të Shqipërisë, Austria përfaqësohet në Shqipëri edhe në fushën e energjetikës.

Austria gjatë viteve të fundit renditet në vendet kryesuese të listës së investimeve të huaja në Shqipëri. Aktualisht shuma e investimeve austriake në Shqipëri llogaritet rreth 554 milion eurosh. Në Shqipëri operojnë gjithsej 100 ndërmarrje me kapital austriak (përfshirë edhe ndërmarrjet me kapital të përbashkët). Gjithashtu edhe në fushën e turizmit ka një potencial të madh zhvillimi. Numri i turistëve austriakë që vizitojnë çdo vit Shqipërinë po rritet gjithmonë e më shumë.

Eunews.al

Comments are closed.