×
Wednesday, January 19, 2022

Rrëzimi i Gjukanoviç pas 30 vitesh në pushtet, kryeministri i ri i Malit të Zi: Viti i parë i lirisë

December 7, 2021

Një vit pas formimit të qeverisë se re dhe rrëzimit pas 30 vitesh të pushtetit të Millo Gjukanoviçit, kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç, e cilëson si vitin e parë të lirisë.

Në Parlamentin e Malit të Zi para një viti u zgjodh qeveria e re me në krye Kryeministrin Zdravko Krivokapiç. Në një tekst autorial Krivokapiçi shkruan se “pas 30 vitesh nën pushtetin e një regjimi hibrid, në atmosferën e ndasive të mosbesimit dhe mbajtjes së qëllimshme të qytetareve në zonën e mbijetesës, para një viti në skenën politike ndodhi liria.”

Për Krivokapiçin parakusht për një Mal të Zi të fortë mbetet individi ekonomikisht i fuqishëm. Prandaj si arritje të qeverisë së tij ai vlerëson katër programet reformuese: “Evropa tani”, “Mali i Zi – urgjentisht”, “Evropa këtu”, dhe “Mali i Zi punon”. Ne jemi përcaktuar për ndryshime e jo për persona të privilegjuar, monopole, korrupsion, kriminalitet dhe statistika të fabrikuara, shkruan kryeministri Kivokapiç në njëvjetorin e themelimit të qeverisë së re të Malit të Zi.

Opozita kërkon votim mosbesimi ndaj qeverisë

Opozita dorëzoi në parlamentin e Malit të Zi një mocion mosbesimi ndaj qeverisë. Në propozim thuhet se “Mali i Zi nën udhëheqjen e qeverisë aktuale është vënë nën krizën më të madhe politike dhe institucionale që nga vendosja e pluralizmit. Opozita kërkon shkarkimin e qeverisë së Kryeministrit Krivokapiç dhe ofron platformën e saj.

Për votimin e votëbesimit është e nevojshme që të votojnë 41 deputetë nga 81 sa ka parlamenti i Malit të Zi. Opozita ka dërguar 40 nënshkrime, por thotë se ka numrin e mjaftueshëm për shkarkimin e qeverisë së Zdravko Krivokapiç. Seanca ku do të debatohet për këtë çështje është caktuar më 13 dhjetor.

SHBA: Qeveria ka ende shumë punë për të bërë

Me rastin e njëvjetorit të punës së Qeverisë të Malit të Zi, Ambasada e SHBA-së në Podgoricë thotë se gjatë këtij viti kanë munguar rezultatet konkrete dhe se ka ende shumë punë për të bërë, sidomos kur është fjala për avancimin e integrimeve evropiane.

SHBA pret që Qeveria e Malit të Zi të përmbushë premtimet e dhëna para një viti, që Mali i Zi mbetet në kursin euro-atlantik, dhe do t’u japë prioritet reformave të nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Deri tani edhe pse vërehen angazhime, këto rezultate konkrete mungojnë, tha Ambasada e SHBA-së.

Pavarësisht kësaj mbetet të pritet se cili do të jetë rezultati i votëbesimit më 13 dhjetor ndaj qeverisë së eksperteve të kryeministrit Zdravko Krivokapiq. Si e tillë ajo nuk përkrahet jo vetëm nga opozita, por as edhe nga pjesa më e madhe e koalicionit qeveritar./DW

Eunews.al

Comments are closed.