Rreth dhjetë orë takime në Ohër, Kurti dhe Vuçiç vazhdojnë bisedimet




Janë bërë rreth dhjetë orë që kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kanë nisur në Ohër takimet ndaras dhe trepalëshe me përfaqësuesin e lartë te Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Diskutimet po vazhdojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian, pasi për përmbajtjen e këtij të fundit, palët u dakorduan më 27 shkurt në Bruksel.
Pas takimeve ndaras me përfaqësuesit e BE-së, Kurti dhe Vuçiç filluan takimin rreth orës 15:00 me një pauzë rreth një orëshe dhe ende diskutimet po vazhdojnë.
Pas takimit trepalësh është paralajmëruar një konferencë për medie e ndërmjetësuesit të dialogut, Josep Borrell.
Gjithashtu, pritet të mbajnë deklaratë edhe kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç.
