×
Thursday, June 1, 2023

“RIT KOSOVA” feston 20-vjetorin e themelimit të saj. Biznesmeni Esat Lika 100 mijë euro për bursa

May 25, 2023



RIT Kosova (A.U.K) institut i arsimit të lartë privat, jofitimprurës në Kosovë, i cili jep mësim tërësisht në gjuhën angleze ka festuar 20-vjetorin e themelimit të saj. Ashtu si çdo vit, edhe në këtë përvjetor është organizuar një mbrëmje gala e cila kish qëllim mbledhjen e fondeve për bursa për studentë. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të politikës si dhe personalitete të fushave të ndryshme.

Sipërmarrësi Elvin Guri dhe biznesmeni shqiptar që punon dhe jeton në Zvicër, Esat Lika kanë akorduar 100 mijë euro për bursa për nxënësit e RIT Kosova.

Drejtuesi i këtij Universiteti, Kamal Shahrabi në fjalën e tij ka falenderuar të gjithë studentët që studiojnë dhe kanë besuar në RIT.

“20 vite progres, 20 vite edukim, 20 vite inovacion dhe të mos harrojmë, 20 vite gëzim. Ky përvjetor shënon një dekadë të ekselencës. Brenda 20 viteve RIT Kosova është rritur, nga një institucion i vogël e ambicioz, në një shtëpi të larmishme, dinamike e të dalluar akademike. RIT filloi me vetëm 57 studentë, ndërsa sot numëron mbi 600 studentë”.

Për punën ekselente të RIT Kosova ka folur edhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila e ka cilësuar atënjë histori suksesi.

“Ajo çfarë ofron RIT Kosova, është pikërisht ajo çfarë ka nevojë dhe çfarë i duhet kësaj shoqërie, këtij vendi, e këtij shteti. Ndoshta për shkak të historisë, populli ynë shfrytëzon dhe mirëpret çdo mundësi për arsimim.”

Ndërsa shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti këto histori suksesi i lidhi me vetë suksesin e shtetit që ai drejton.
“Ajo çfarë më bëri përshtypje kur pash ftesën për këtë organizim, ishte ngjashmëria mes këtij Universiteti dhe shtetit të Kosovës. U ftova për të marrë pjesë në një histori suksesi, në të njëjtin vit kur u shënua edhe 15 vjetori i Republikës së Kosovës. Shtet, i cili ka gjithashtu një histori suksesi. Kosova dhe RIT Kosova kanë pasur një qëllim të përbashkët, të nisin gjithçka nga asgjëja. Të dyja vendet, patën sukses në përmbushjen e qëllimeve të tyre”, tha Kurti ndër të tjera.

Ky është një organizim i përvitshëm, qëllimi i të cilit është mbledhja e fondeve për t’u siguruar bursa studentëve.



Comments are closed.